Shkollat fillore në Prishtinë kontrollohen nga Inspektorati i Arsimit për masat anti-Covid, por nuk kontrollohen nga mjekët

14:19 | 3 Tetor 2020
Arbresh.info

Ka tre javë që shkollat në Kosova janë hapur, dhe po vazhdojnë procesin mësimor.

Që nga fillimi i vitit të ri shkollor të gjithë shkollat po vazhdojnë të kontrollohen çdo ditë nga Inspektorati i Arsimit, drejtoritë komunale e Ministria e Shëndetësisë.

Këtë e konfirmoi për arbresh.info, Liridon Maliqi, drejtor i shkollës M “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Ai tha se këto vizita i kanë pasur, mirëpo kanë munguar vizitat e personelit mjekësor, që të testohet stafi apo edhe mësimdhënësit.

“Neve nuk kemi pasur akoma vizita të personelit mjekësor që të testohen stafi apo mësimdhënësit. Por kemi pas në vazhdimësi inspektoratin edhe të IKSHPK-së edhe nga ministria e Shëndetësisë edhe nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, edhe nga Inspektorati i Ministrisë së Arsimit”, ka thënë Maliqi.

Edhe pse kontrolle s’ka masat po respektohen nga nxënësit e kësaj shkolle.

“Konsiderojmë se jemi në javën e tretë duke e përmbyllur me punë jashtëzakonisht të madhe që po e bënë stafi dhe mësimdhënësit, po mbajmë mbledhje edhe me prindër. Nxënësit janë duke e kuptuar realitetin dhe po i respektojnë masat dhe protokollin  e shkollës”, ka thënë Maliqi.

Maliqi tha se që nga hapja e shkollës nuk ka pasur asnjë të prekur me Covid-19.

Për inspektimin e kontrollet nëpër shkolla në këtë kohë pandemie arbresh.info ka marrë përgjigje edhe nga drejtoria e arsimit në Prishtinë.

Shpresa Shala, drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës ka thënë shkurt se inspektimi ka filluar që nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe bëhet çdo ditë.

“Inspektimi bëhet çdo ditë, prej se ka filluar viti i ri shkollor”, tha Shala.

Viti i ri shkollor në institucionet para-universitare në Kosovë, ka filluar më 14 shtator, me prezencë fizike të nxënësve në shkolla, por pavarësisht se u respektuan të gjitha masat, disa nxënës po ashtu edhe mësimdhënës nuk patën fatin e mirë, pasi që u prekën nga Covid-19./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme