Google ADS

Kryetarja e Kuvendit vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë

15:52 | 1 Tetor 2020
Arbresh.info

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve dhe në kuadër të projektit “Furnizimi me mjete mbrojtëse kundër Covid-19 për kategoritë e rrezikuara sociale”, ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Kryetarja Osmani theksoi se një shtet shpërfaqë zhvillimin dhe emancipimin shoqëror, atëherë kur tregon vëmendjen dhe kujdesin e nevojshëm për personat e moshuar.

Në takim me të moshuarit, u theksua nevoja për zgjerimin e rrjetit të shtëpive për të moshuar dhe në komunat e tjera.

Zonja Osmani tha se sfida me pandeminë vuri në pah punën e madhe dhe rëndësinë e profesionit të mjekëve e infermierëve.

“Ishte lajm shqetësues përhapja e infeksionit në Shtëpinë e të Moshuarve, ndaj na gëzon fakti që e kaluat me lehtësi dhe pa raste fataliteti”, ka thënë kryetarja Osmani në takim me të moshuarit.

Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve, shprehën falënderimin për mbështetjen institucionale, shpalosën kërkesat dhe rrëfyen pjesë të përditshmërisë së tyre, duke potencuar përkushtimin e profesionistëve shëndetësor për ta.

Projekti është mbështetur nga Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada e Luksemburgut, ndërkaq është realizuar nëpërmjet Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK)./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme