Google ADS

Rukiqi: Partitë politike po luajnë ping-pong në dëm të interesave të qytetarëve e bizneseve

09:33 | 1 Tetor 2020
V. S.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se nuk është koha që të bëhen ndryshime sa i përket Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Tutje, ai tha se ky ligj është i rëndësishëm për të rritur efikasitetin ekonomik.

“Ligji nëse ndryshohet ai fiton një bazë që të implementohet vazhdimisht ajo dispozitë që vazhdimisht njerëzit kanë me i tërheqë mjetet e veta nga trusti pensional. Kjo qasje nuk besoj që është e duhura në këtë rast. Ne nuk kemi kohë që të bëjmë ndryshime të cilat mund të rregullohen ose mund të jenë më të mira por trajtimi që po i bëhet kësaj teme e tejkalon këtë arsyeshmërinë për të pasur një ligj për rimëkëmbje i cili trajton të gjitha këto tema në një ligj të vetëm”.

“Edhe në fillim të pandemisë dhe gjatë gjithë kohës sa jemi në pandemi është insistuar që të ketë një ligj për rimëkëmbjen ekonomike dhe ndër to është edhe pjesa e lehtësirave fiskale dhe pjesa e përkrahjes në financa, por edhe pjesa që ka të bëjë me stimulimin e kërkesës agregate prandaj ky ndryshim i ligjit të trustit dhe trajtimi i tij në funksion të rimëkëmbjes ekonomike nuk po më duket i arsyeshëm me atë se çka kemi nevojë ne në ekonomi. Ekziston edhe një pritje që ata do ti kenë mjetet në dispozicion shumë shpejt dhe që të hyhet procedura që ta kemi komplet një ndryshim të ligjit i cili merr kohë”.

Sipas tij, iniciativa e PDK-së për ndryshime sa i përkte Ligjit për Trustin ka qenë propozim edhe i më hershëm që nuk ka marrë mbështetje.

Ai tha se është duke u luajtur ping-pong në dëm të interesave të qytetarëve dhe bizneseve.

“Ka qenë një iniciativë ligjore e PDK-së që në fillim e cila atëherë ishte jashtëzakonisht e nevojshme dhe nuk u votua, prandaj ishte nevoja që Qeveria ta propozojë një ligj të rimëkëmbjes dhe prapë nuk po votohet. Është ka luhet ping-pongu në dëm të interesave të qytetarëve dhe bizneseve. Ky ping-pong mes partive politike nuk i kontribuon asaj se çka kemi nevojë tani”, tha Rukiqi për EO.

Rukiqi tha se projektligji aktual reflekton pothuajse të gjitha kërkesat e bizneseve, prandaj si i tillë ai thotë se duhet të votohet me qëllim që mjetet e ndara t’i kenë në dispozicion bizneset më së largu deri në muajin tetor.

“Ne kemi nevojë tani për vendime të shpejta sepse kemi thënë që rimëkëmbja ekonomike nuk është temë që e bënë më të mirë apo të keqe një parti politike. Kjo është temë që ka rëndësi për të gjitha partitë sepse përfitojmë të gjithë për shkak se mund të stabilizohet në aspektin ekonomik dhe mund të ecë tutje me agjenda tjera që janë të rëndësishme për partitë politike. Përfitimi nga kjo agjenda e rimëkëmbjes, çfarëdo lloj përfitimi që dikush synon ta ketë nga kjo agjendë është i gabueshëm”.

Andaj, sipas Rukiqit duhet të lihen inatet e politikanëve anash në mënyrë që të votohet ky projektligj, raporton EO.

“Gjatë krejt javës së kaluar kemi biseduar edhe me opozitën edhe me qeverinë që të ulen në tavolinë dhe nëse nuk kemi probleme rreth përmbajtjes atëherë nëse duhet ligj komplet i ri të ketë diskutim në këtë rast. Por nëse kemi një ligj i cili mund të miratohet në lexim të parë dhe të dytë, atëherë të shikohet mundësi që nëpërmjet leximit të plotësohet dhe të jetë pastaj me mendime dhe propozim të gjithë akterëve përfshirë edhe komunitetin e biznesit”.

“Jemi në lojën e inateve të zakonshme politike që na ndodhin neve ku ligji i rimëkëmbjes lidhet me krejt disa agjenda tjera dhe nëse nuk ka progres në ato agjenda tjera ndërmjet partive politike, atëherë bllokohet edhe ky ligj dhe pastaj dëmin e paguajnë qytetarët dhe bizneset”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme