Google ADS

Hisen Berisha: Nëse Specialja ka mandat, pse Presidenti bëri kërkesë për zgjatje të tij?

12:12 | 30 Shtator 2020
Arbresh.info

Ish-eprori i UÇK-së në Koshare, Hisen Berisha ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të ishte njëlloj siç është sot edhe sikur të hartohej në Beograd.

“E kam parë ligjin dhe nga ndjenja e përgjegjësisë dhe kureshtja e kam lexuar ligjin themeltar të Dhomave të Specializuara dhe sikur të hartohej në Beograd do të dilte i njëjti ligj. Baza juridike që është përdorur si e drejtë pozitive për kohën kur supozohet se janë kryer këto vepra [1 janar 1998 – dhjetor 2000] dhe baza juridike referuese që përdoret për ta kompletuar këtë ligj do të duhej të kontestohej dhe të mos kalonte në Kuvendin e Kosovës”, tha Berisha.

Berisha ka insistuar se Gjykata Speciale është duke funksionuar jashtë mandatit, prandaj ai u ka dhënë të drejtë të gjithë atyre që e kontestojnë legjitimitetin e saj.

“Mbrojtësi i tij [Nasim Haradinajt], ashtu sikur edhe të gjithë të tjerët që e njohin këtë fushë, apo edhe qytetarët, reagojnë me të drejtë kur e kontestojnë legjitimitetin e kësaj gjykate. Kjo gjykatë thuhet se i ka pesë vjet afat dhe nuk mund të zgjasë më tepër asnjë ditë, por mund të ndërpritet më herët nëse përfundon çështjet për të cilat është krijuar”, tha ai në Klan Kosova.

“Kemi presidentin që ka bërë një kërkesë për zgjatje të mandatit. Pse e bëri? Nëse asaj gjykate i vazhdon mandati, pse po e bën këtë kërkesë? A është kaq naiv presidenti dhe zyrtarët e tij ligjorë që nuk dinë ta lexojnë nëse ka mandat ose jo kjo Gjykatë?”

“Presidenti i dërgoi kërkesën kryetares së Parlamentit për ta shqyrtuar nëse ka afat ose jo. Hajde nëse zyrtarët ligjorë të presidentit nuk kanë ditur ta lexojnë ligjin, por si ka mundësi që edhe Kryetarja e Kuvendit nuk e trajtoi fare në Parlament, por e dërgoi në Dhomat e Specializuara për t’i treguar presidentit nëse ka afat ose jo?”.

Sipas Berishës, Gjykata Speciale do të duhej të ishte punë e kryer prej momentit kur prokurori amerikan Clint Williamson kishte ardhë në përfundim se nuk ka gjetje që ka ndodhur trafikim organesh, siç pretendohet në raportin e Dick Martyt.

“Ne duhet të ndalemi në burim të problemit dhe debateve që po na krijohen sot. Pse dhe me çfarë mandati është krijuar kjo gjykatë? Cila ka qenë materia që ka pasë me u trajtu? Ne e dimë fort mirë që raporti i Dick Martyt është shkaku që është krijuar ky Tribunal Special për Kosovën. Ne e kemi deklaratën e prokurorit të parë amerikan [Clint Williamson] që thotë se nuk ka kurrfarë gjetjesh për trafikim organesh dhe kjo gjykatë këtu e përfundoi mandatin”, tha ai.

Njëri nga udhëheqësit e Betejës së Koshares ka thënë se në një marrëveshje të kohës kur është negociuar me ndërkombëtarët për themelimin e Gjykatës Speciale, që ai thotë se e ka parë, është specifikuar se do të gjykoheshin të gjithë shtetasit e ish-RFJ-së dhe Kosovës që dyshohen se kanë kryer vepra, pavarësisht etnisë.

“Kam parë një marrëveshje kur është biseduar me ndërkombëtarët për themelimin e Gjykatës Speciale ku thuhej se do të gjykohen të gjithë ata që kanë shtetësi të RFJ-së dhe Kosovës për veprat që janë kryer ndaj qytetarëve që kanë shtetësi të RFJ-së dhe Kosovës. Ne shumë herë kemi thënë që kjo gjykatë ka karakter një etnik. Ky formulim ekzistonte, por diku është hequr sepse në ligj nuk është ky formulim. Nëse kjo paska ekzistuar një herë dhe paskan provuar ta amandamentojnë këtë ligj, atëherë pse nuk gjykohen të gjithë shtetasit e Kosovës me përkatësi etnike cilado qoftë ajo?”, tha Berisha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme