Google ADS

Konflikti Armeni-Azerbajxhan, Merkel bën thirrje për bisedime

14:53 | 29 Shtator 2020
Arbresh.info

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, diskutoi rreth situatës në Malësinë e Karabakut me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe Kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se Merkel dje bisedoi me kryeministrin armen përmes telefonit, kurse sot me Aliyev.

U theksua se u diskutua përshkallëzimi i konfliktit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndërsa kancelarja gjermane kërkoi që të dyja palët menjëherë të ulin armët.

Gjithashtu thuhet se Merkel ftoi palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe deklaroi se platforma më e përshtatshme për këtë është Grupi i Minskut i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).

Gjithashtu shtohet se Merkel kërkoi nga vendet fqinje të japin kontributin e tyre për një zgjidhje paqësore.

Që nga viti 1991, ushtria armene ka pushtuar në mënyrë të paligjshme Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, bëjnë thirrje për tërheqjen e forcave pushtuese armene nga Malësia e Karabakut dhe shtatë rajone të tjera të okupuara të Azerbajxhanit.

Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) themeloi Grupin e Minskut në vitin 1992 me synimin për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjes Azerbajxhan-Armeni mbi Malësinë e Karabakut. Grupi drejtohet nga tre vende, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Rusia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme