Google ADS

Adem Grabovci në Supreme: “Nëse del ndonjë qytetar apo anëtar i ndonjë subjekti politik që deklaron se i kam shkelë të drejtën dikujt jam i gatshëm të përgjigjem”

13:03 | 29 Shtator 2020
Arbresh.info

Tre të dënuarit me kusht në rastin e njohur si “Pronto”, Adem Grabovci, Ilhami Gashi dhe Sadat Gashi, në seancën e së martës, kanë kërkuar nga Gjykata Supreme e Kosovës që të lirohen nga akuza.

Ata po akuzohen për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

“Dua të shprehi habinë time që s’muj me kuptu dhe pranu se unë kam bërë dallime politike jo në atë kohë por në asnjë moment, dhe nëse ka mundësi që të gjendet vetëm një qytetar apo anëtar i ndonjë subjekti politik që deklaron se në ndonjë formë ia kam shkelë të drejtën dikujt apo kam bërë dallime jam i gatshëm të përgjigjem në çdo kohë”, ka thënë i akuzuari Grabovci, në seancën e së martës.

Sipas tij, bisedat që i kishin zhvilluar me dy të akuzuarit tjerë Ilhami dhe Sadat Gashin kishin qenë biseda konsultative.

“Ne kemi biseduar në telefon, mund t’i quajmë biseda konsultative, por asnjëherë nuk mund të vërtetohet se unë kam ndikuar që Afrim Dauti apo Blerim Camaj të zgjidhen në pozita zyrtare. Ligji për shërbyesit civil këtë e vërteton, po ashtu po iu siguroj një dokument zyrtar që vërteton se në përbërje të komisionit janë anëtarë të tjerë, ku Afrim Dautin ky komision e vlerëson me vlerësim maksimal, dhe mbi bazën e këtij ligji nga katër anëtarë është vendosur që i njëjti të emërohet. Për mua është e qartë çka ka ndodhur, më vjen shumë keq, por ajo që ka ndodhur në rastin tim mua më është bërë dënim publik moral, dhe pretendimin e Apelit e vlerësoj të padrejta”, ka shtuar tutje Adem Grabovci.

Ankesë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila Grabovicin e kishte dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht, kishte parashtruar mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj, i cili ashtu sikurse në ankesë, edhe në seancën e së martës ka propozuar që ankesa e tij të aprovohet dhe të ndryshohet aktgjykimi i Apelit, ashtu që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Këto pretendime Latifaj i ka dhënë para kolegjit të Gjykatës Supreme të Kosovës, me kryetar të kolegjit Enver Peci, gjyqtaren referuese Valdete Daka dhe anëtaren e këtij kolegji Nesrin Lushta.

Latifaj tha se nuk kishin marrë përgjigje as nga Gjykata Themelore e as nga ajo e Apelit, lidhur me faktin nëse një prokuror kishte të drejtë që të ngrisë aktakuzë tjetër pa ndonjë provë të re, por me prova të njëjta, pasi ka pushuar një hetim.

Ai në ankesë e tij kishte pretenduar se në këtë çështje penale, me aktvendim të plotfuqishëm, ishin pushuar hetimet për shkak të mungesës së dyshimit për ndonjë vepër penale.

Sipas tij, askush nuk mund të ndiqet dhe të dënohet nëse njëherë ishte vendosur në mënyrë meritore dhe se pushimi i hetimit. sipas mbrojtjes, konsiderohet çështje e përfunduar, ngase sipas Latifajt, prokurori vetëm me prova të reja mund të rihapë hetimin.

Ai po ashtu pretendon se Grabovci në momentin kur ishte kryer vepra penale ka qenë deputet dhe detyrat e tij kanë qenë të rregulluara me dispozita kushtetuese, e se në pozitën e deputetit Grabovci, sipas Latifajt, nuk kishte mundësuar kryerjen e kësaj vepre, ngase nuk kishte pasur kurrfarë autorizimesh që me pozitën e tij të deputetit të ndërhyjë në çfarëdo autorizime.

“Kjo vepër për tu kryer duhet të përmbushen disa elemente të caktuara, i akuzuari nuk ka pasur as funksion dhe mundësi për të ndikuar. Gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, është dashur që të shqyrtohet se në cilën pozitë e ka keqpërdor, a e ka tejkaluar detyrën e e tij dhe nëse po si e ka keqpërdorur, a ka marrë pjesë në komisione intervistuese dhe a e ka bërë procesin e seleksionimit të kandidatëve”, kishte paraqitur në ankesë avokati Latifaj.

Ankesë ndaj aktgjykimi dënues të Gjykatës së Apelit kishte paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollqaku.

Ai në seancën e së martës ka thënë se i mbrojturi i tij në asnjë moment nuk kishte ndikuar në përzgjedhjen e Afrim Dautit, pasi sipas tij, konkursi ishte hapur një vit pas bisedave telefonit për të cilat pretendohet se ishin veprime inkriminuese.

Sipas avokatit Kollqaku, i mbrojturi i tij nuk kishte marrë pjesë për përzgjedhjen e Afrim Dautit, por i njëjti vetë kishte bërë përzgjedhjen e komisionit vlerësues dhe përzgjedhja e këtij kandidati ishte bërë dy vite pas pretendimeve se i akuzuari Gashte kishte biseduar me të akuzuarin Grabovci.

Ndërsa në lidhje me përzgjedhjen e personit Blerim Camajt, sipas avokatit Kollqaku, i mbrojturi i tij kishte qenë anëtar i komisionit vlerësues dhe se pesë anëtarët nuk kishin bërë përzgjedhjen, por kishin vlerësuar vetëm kriteret dhe se nga vlerësimi i kritereve i mbrojturi tij kishte dhënë më pak pikë se kandidatëve tjerë.

Prandaj sipas tij, nëse ai do të kishte ndikuar në përzgjedhjen e Blerim Camajt siç pretendon PSRK-ja, atëherë nuk do t’i kishte dhënë më pas pikë se sa kandidatët e tjerë. Ai në ankesën e tij drejtuar Supremes, kishte propozuar që ankesa të aprovohet dhe të ndryshohet aktgjykimi i Apelit, ashtu që i mbrojturi i tij në mungesë të provave të lirohet nga akuza.

Edhe avokati Kollqaku në ankesën e tij kishte pretenduar se aktgjykimi ishte bazuar në prova të papranueshme dhe se Apeli nuk kishte arritur të provojë faktin së në cilat veprimet të pandehurit ishin të motivuar në bazën e diskriminimit, përkatësisht politike apo cilëndo nga bazat që e përbëjnë figurën e veprës penale.Kundër vendimit dënues të Apelit, ankesë në Supreme kishte parashtruar edhe mbrojtësi i Sadat Gashti, avokati Mahmut Halimi.Ai para kolegjit të Supremes ka thënë se klienti i tij nuk kishte qenë pjesë e ndonjë partie politike dhe se në kohën kur ishte përzgjedhur kandidati Afrim Dauti, sipas tij, i akuzuari Sadat Gashi kishte qenë i suspenduar dhe i shkaktuar nga pozita e këshilltarit politik në MPB.

“A pati ndonjë ankesë për emërimin e Afrim Dautit, jo nuk ka pasur, as klienti im dhe as të akuzuarit tjerë nuk kanë kryer asnjë veprim për të cilat veprime janë shpallur fajtor. Edhe sa i përket çështjes së dënimit plotësues, 9 vite pas rastit a meriton cilido nga të akuzuarit që pas 9 vitesh si pasojë e mungesës së efikasitetit të prokurorisë dhe gjykatave të pësojë klienti im t’i shqiptohet një masë aq e rëndë. Unë kam besim të plotë se aktgjykimi në këtë çështje do të jetë në favor të klientit tim”, ka thënë avokati Halimi.

Në ankesën e tij, avokati Halimi kishte potencuar se i akuzuari Sadat Gashi asnjëherë nuk kishte kontaktuar me Grabovcin dhe as nuk kishte qenë pjesë e organizmit të procedurave të përzgjedhjes të Afrim Dautit, i cili ishte pranuar në atë pozitë kur i akuzuari Sadat Gashi kishte qenë i shkarkuar, pra sipas avokatit Halimi, ai nuk kishte qenë fare në ministri në momentin kur A.D është pranuar në vendin e punës.

Në lidhje me vendimin për sanksionin penal, ankesë në Supreme kishte parashtruar edhe PSRK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi”.Sipas kësaj prokurorie, Gjykata e Apelit në aktgjykim e saj drejtë kishte vlerësuar rrethanat renduese, mirëpo sipas PSRK-së, peshë më të madhe i kishte dhënë rrethanave lehtësuese për shqiptimin e një dënimi më kusht, pasi sipas tyre, këto rrethana nuk mjaftojnë për shqiptimin e një dënimi me kusht.

PSRK përmes ankesës kishte konsideruar se aktakuza ishte ngritur mbi bazën e dhënies së privilegjeve të personave konkret duke u bazuar në përkatësinë politike dhe raportet e tyre personale dhe sipas kësaj prokurorie, pasojat e veprimeve të tyre ishin edhe sot e kësaj dite prezent, pasi dy persona ishin ende në pozita zyrtare falë të akuzuarve.

Kjo prokurori, kishte propozuar që Supremja të aprovojë ankesën, ta ndryshojë aktgjykimin e Apelit dhe tre të akuzuarve t’iu shqiptojë dënim me burgim. Ndryshe, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i ka shpallur fajtor Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin, për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Të tre këta të akuzuar janë dënuar me burg, mirëpo, këto dënime ndaj tyre nuk do të ekzekutohen në rast se të akuzuarit nuk do të kryejnë vepra tjera penale brenda dy viteve të periudhës së verifikimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Adem Grabovcit, i cili ishte liruar nga akuza nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje prej 2 viteve. Grabovcit i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale, ne kohëzgjatje prej 2 viteve. Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar me dënim me burgim ne kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do te ekzekutohet ne raste se i akuzuari nuk kryen vepër penale ne kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.Kurse për të akuzuarit tjerë, Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 3 janar të këtij viti kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj 11 të akuzuarve në rastin e njohur “Pronto”.Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale më të cilën ngarkohen.

Ndryshe, gjykimi për këtë rast ka nisur më 15 nëntor 2018, ku në seancën fillestare të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.Tutje, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Mirëpo Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë. Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile. Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës. Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së. Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme