Google ADS

Gjermania: Marrëveshja për Asociacionin e Komunave serbe të jetë në harmoni me të drejtën kosovare

12:22 | 29 Shtator 2020
Arbresh.info

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha të hënën (28.09.2020) në Berlin, se në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, që po zhvillohet nën drejtimin e BE duhet të shqyrtohen të gjitha çështjet ende të hapura: “Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të punojnë drejt arritjes së kompromisit, pavarësisht nga këndvështrimet e tyre natyrshëm të ndryshme”, tha Seibert.

“Qëllimi është një marrëveshje me të vërtetë gjithëpërfshirëse dhe e detyrueshme ligjërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. E për të arritur një marrëveshje të tillë, Beogradi dhe Prishtina duhet të shqyrtojnë të gjitha çështjet e hapura,” tha Seibert në konferencën e shtypit në Berlin, duke iu përgjigjur një pyetjeje të DW.

I pyetur mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Seibert kujtoi dy marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut teknik, në prill 2013 dhe gusht 2015.

“Për tiparet dhe më pas edhe kompetencat e sakta, duhet rënë dakord saktësisht mbi këtë bazë, dhe ato duhet të jenë në harmoni me të drejtën kosovare”, tha Seibert dhe shtoi: “Kompetencat e Asociacionit janë përshkruar mjaft qartë në këto marrëveshje dhe ato përfshijnë, për shembull: arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik etj.”

Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është kthyer në “mollë sherri” mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit Avdullah Hoti. Thaçi është i mendimit se kjo temë nuk ka përse të trajtohet në dialogun politik që po zhvillohet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas qarqeve diplomatike nga Berlini, çështja e Asociacionit ishte shkaku se përse nuk u zhvillua takimi i radhës Hoti-Vucic, i paraparë për këtë fillim jave në Bruksel.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel në vitin 2013. Më vonë në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, që fliste për kompetenca ekzekutive. Krahas arsimit, shëndetësisë dhe zhvillimit ekonomik, serbëve u jepej edhe kompetenca e planifikimit urban dhe rural.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në interpretimin e kësaj marrëveshje gjeti që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se parimet mund të harmonizohen me akte ligjore të Qeverisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme