Google ADS

Koci: Dikush e futi në grackë OVL të UÇK-së me dërgimin e dosjeve

00:16 | 29 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Avokati Arianit Koci, ka folur edhe për dosjet e dërguara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka përshtypjen që me dërgimin e këtyre dosjeve, dikush e ka futur në grackë organizatën, derisa arrestimin e krerëve të OVL të UÇK-së e ka quajtur spektakël të Speciales.

Koci ka thënë se bastisja ka mundur të realizohet pa pasur nevojë për forca të shtuara të Policisë së EULEX-it.

“Unë e kam përshtypjen që dikush i ka futur në grackë Veteranët, por edhe Zyra e Prokurorit të specializuar e ka bërë një spektakël të panevojshëm. Sa i përket (Nasim) Haradinajt e (Hysni) Gucatit, ata do t’i i ishin përgjigjur ftesës së Speciales nëse do të ishin ftuar. Unë nuk e di a është e qëllimshme por nuk ka qenë fare aksion i EULEX-it ka qenë e zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka thënë ai.

Koci ka thënë se EULEX-i ka mandat moniturues por i ka lënë dy njësi që i administrojnë çdo kërkesë të zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ai tutje ka shtuar se Gjykata Speciale është krijuar në formën që nuk kanë besim të institucionet e Kosovës.

“Është krijuar gjykatë që nuk ka asnjë kosovarë. Specialja duhet të sqarojë nëse janë dokumente autentike. Është një problem serioz. Këtu është evidente që është një lufte speciale që po zhvillohet ndaj Speciales. Është e natyrshme prej Prokurorisë që nuk deklarohen për këtë fazë, unë mendoj që ka filluar një hetim penal se si kanë rrjedh dokumentet. Opinioni publik është i shqetësuar se si po rrjedhin ato dokumente edhe nëse janë autentike dhe nëse janë të falsifikuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, që të zbulohet ky rast, fjalën kryesore e ka Prokuroria./koha.net/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme