Google ADS

Mustafa: Problemet zgjidhen duke bashkëpunuar, jo me politika populliste

00:01 | 28 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, të shtunën foli për heqjen e vijave të kuqe me partinë e Kadri Veselit. Deklaratat e tij u kritikuan sidomos nga ish-partneri i koalicionit, Vetëvendosje.

Mustafa thotë se në kohën kur Kosova po ballafaqohet me akuzat e Gjykatës Speciale, bisedimet në Uashington e pandeminë COVID-19, është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim  në skenën politike. Lideri i LDK-së po e sheh të nevojshëm bashkëpunimin ndërmjet partive politike.

Arsye për heqjen e vijave të kuqe për PDK-në, Mustafa po i liston sfidat e tanishme të Kosovës, si dialogu me Serbinë, pandemia COVID-19 e aktakuzat e Speciales kundër ish-ushtarëve të UÇK-së.

Në një përgjigje për Express, Mustafa ka deklaruar se në rrethana të tilla është e pakuptimtë të mos kërkohet bashkëpunim.

“Në rrethanat kur po ballafaqohemi me pandeminë dhe nevojën që bashkërisht ta fitojmë këtë betejë; Kur po zhvillohet dialogu në Uashington dhe në Bruksel për përmbyllje të marrëveshjes me njohje reciproke; Kur ka filluar procedimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale kundër pjesëtarëve të UÇK-së për dyshime për krime të luftës, është e pakuptimtë që në të mos  kërkojmë gjuhë të përbashkët dhe bashkëpunim”, ka deklaruar i pari i LDK-së.

Ai thotë se për zgjidhjen e këtyre problemeve duhet bashkëpunim ndërmjet partive politike dhe liderëve të tyre.

“Asnjërin prej këtyre problemeve akute nuk e zgjidhim duke mbajtur diskomunikim dhe duke mos bashkëpunuar si subjekte politike dhe si liderë të këtyre subjekteve”, deklaron Mustafa.

Kreu i LDK-së thotë se problemet e vendit nuk zgjidhen me politika populliste, me të cilat nuk ofrohet zgjidhje.

“Mua, por jam i bindur, se edhe LDK-në na rëndon problemi i Kosovës, i cili as sot dhe as në të ardhmen nuk tejkalohet me politika populliste e qasje kritizere, pa ofruar asnjë zgjidhje. Në kohë të vështira për vendin duhet të gjejmë zgjidhje që na bashkon dhe na forcon”, ka thënë Mustafa.

Deklaratën e Mustafës  për heqjen e vijave të kuqe për PDK-në, kreu i VV-së, Albin Kurti, sot e ka quajtur qesharake.

Sipas tij, këto dy parti ka kohë që funksionojnë në sinkron. Madje, ai ka thënë se edhe po të bëhen bashkë, VV do t’i mundë në zgjedhjet e ardhshme.

Albulena Haxhiu nga VV ka thënë se heqja e vijave të kuqe nga LDK-ja për PDK-në është ditur që në muajin mars. Ajo deklaroi se kjo po bëhet për të ikur nga zgjedhjet./epokaere/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme