Google ADS

Osmani në Bruksel në takime me Borellin, Varhelyi dhe përfaqësues tjerë të lartë të institucioneve të BE

14:21 | 27 Shtator 2020
Arbresh.info

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga dita e nesërme do të realizojë vizitë pune dy ditore në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane, informojnë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga dita e nesërme do të realizojë vizitë pune dy ditore në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane. Në kuadër të vizitës, Osmani do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian, Josep Borrell, si dhe me Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian e angazhuar për demokraci dhe demografi si dhe për Konferencën për të Ardhmen e Evropës, Dubravka Shuica.

Gjatë vizitës, Osmani do të takohet gjithashtu edhe me Komisionerin e BE-së për Politikën e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Olivér Varhelyi, ndërsa janë paraparë takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian dhe eurodeputetë, në mesin e të cilave edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian Klara Dobrev, Bashkëkryesuesin e Komitetit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë, Andreas Schieder, Raportuesin për Maqedoninë e Veriut Ilhan Kuçuk, si dhe eurodeputetë të tjerë me ndikim.

Agjenda e Ministrit Osmani parasheh edhe takim me Miroslav Lajçak, përfaqësues special i BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Beograd-Prishtinë.

Pikë kryesore e bisedimeve do të jetë dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut. Fokusi i Osmanit është që deri në fund të këtij viti, ky proces ta përjetojë përfundimin e tij të suksesshëm brenda kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së, duke e miratuar kornizën e negociatave, e cila paraqet dokument kryesor në fillimin e negociatave dhe mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila shënon tradicionalisht fillimin e negociatave për secilin vend që aspiron anëtarësimin.

Ministri Osmani do t’i prezantojë përparësitë e misionit të tij mandatues, me theks të veçantë për Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe kontributin për rajonin, ku do të riafirmojë: programin e fuqishëm pro-evropian të qeverisë së re, vazhdimin e proceseve të reformës me simbolin e BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si dhe masat socio-ekonomike për të trajtuar pasojat e pandemisë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme