Procesi fizik dhe elektronik i pa përfunduar i regjistrimit të diasporës

08:32 | 27 Shtator 2020
L G

Mbi 800.000 mijë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të botës, por këto nuk janë statistika të institucioneve shtetërore.

Këtë statistikë e bënë të ditur për arbresh.info, Arbnor Mjeku nga organizata joqeveritare, “Germin”.

“Lidhur me kosovarët se sa jetojnë jashtë vendit, vlerësimi i fundit i këtij viti është që janë mbi 800,000 persona që jetojnë jashtë vendit. Vendet ku më së shumti ka kosovar janë, Gjermania, Zvicra, USA, dhe vendet skandinave”, ka thënë Mjeku.

Ministria e Diasporës e shndërruar në një dikaster brenda Ministrisë së Jashtme, nuk ka kthyer përgjigje sa i përket procesit të regjistrimit të diasporës, fizik e elektronik.

Në kohën e publikimit të rezultateve preliminare në qershor të vitit 2017, zyrtarë shtetëror kishin paralajmëruar se deri në vitin 2022 pritet të përfundojë procesi i regjistrimit të diasporës, i filluar para gjashtë vjetëve.

Vitet 2015 dhe 2016 ishin vite të regjistrimit fizik të diasporës. Në këto vite janë shfrytëzuar kryesisht vizitat e bashkatdhetarëve gjatë pushimeve të verës dhe festave të fundvitit. Mbi 200 regjistrues në të gjitha qytetet e Kosovës bënë regjistrimin e tyre.

Planifikohej që  këto të dhëna të plotësoheshin me të dhënat e regjistrimit “online” apo ndonjë projekti që do ta plotësonte këtë proces.

Edhe para këtij regjistrimi, në janar të vitit 2014 Ministria e Diasporës e kishte lansuar platformën elektronike (online) për regjistrimin e diasporës dhe mërgatës, por pa u publikuar asnjëherë këto të dhëna.

Procesi u realizua nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe me institucionet e tjera.

Sikurse në Ministrinë e Jashtme, as nga ASK nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit arbresh.info në lidhje me statistikat.

Adresa e lansuar e platformës elektronike për t’u regjistruar, www.rdks.info, aktualisht është jo funksionale.

Qëllimi i regjistrimit ishte evidencimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora e mërgata, si dhe regjistrimi i shoqatave dhe formave të tjera të organizimit të tyre.

Pjesë e këtij regjistrimi do të duhej të ishte çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova. /R.Rexhepi /arbresh.info/

 

Të ngjashme