Ka gati dy muaj që në Kuvendi e Kosovës, për mungesë të kuorumit, nuk po arrihet që të aprovohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Duke mos dashur me u lëshua në cilësimin e papërgjegjësisë së të zgjedhurve të popullit lidhur me mungesën e tyre në seanca të Kuvendit, që nuk janë të rralla, vet mungesa e tyre fletë për mosgatishmërinë për tu marrë me çështje konkrete dhe për të dhënë ide e alternativa të cilat do të ishin në interes të qytetarëve dhe të bizneseve, në këtë kohë të problemeve që i ka sjell Pandemia Covid 19.
Shkruan: Sejdi Rexhepi
Krijohet përshtypja se ka vite që në Kosovë politikë-bërësit dhe politikanët më shumë janë të interesuar për “makijazh politikë” për ruajtje dhe grabitje të votave të elektoratit, se sa për përmirësimin e mirëqenies e qytetarëve.
Kjo tanimë është një e “vërtetë publike”, dhe kjo ndodh si rezultat i faktit se pjesa më e madhe e politikanëve “janë ngop” me zhvillimin i cili ka qua deri të krijimi i “elitave” dhe monopoleve biznesore, të cilat mjaftueshëm i plotësojnë apetitet e grupeve të caktuara të interesit. Andaj është e nënkuptuar se pse në çdo seance të kuvendit, pika e parë e rendit të ditës është “pyetjet parlamentare”, të cilën deputetët e “konsumojnë” me aq zell (sa për të ju qitur “hi syve” elektoratit), sa që kur i shikon me vëmendje (nëse ka dikush durim), të duken sikur disa “penzioner të lodhur” të cilët nga monotonia e përditshmërisë kosovare, skamja dhe moskujdesi social, mezi presin që dikush nga televizionet e shumta, në sheshet e qytetit, ti pyes në stilin “hajt pak” që të “shfryhen së debatuari”.
Pra, është krijuar bindja që elitave politike ju mjafton që të “debatohet” dhe se pavarësisht përmbajtjes “do ta ha pazari” i popullit. Deri tani kështu edhe ka ndodhur. Pra, mjafton që të nxirren rezoluta, mjafton që dikush të thirret në interpelance, mjafton që të ketë sa më shumë tema për komisione parlamentare…, thjesht mjafton që të shihet se “u debatua” dhe të duket se dikush u interesua dhe “debatoj” me zë të lartë, deri në ofendime, dhe se nuk është më rëndësi se çka dhe sa do të zbatohet në praktikë. I llojit të ngjashëm këto ditë është edhe debati për mos aprovimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike-Covid 19.
Të gjithë ata që kanë një kulturë elementare akademike e dinë se ligji nuk është asgjë tjetër vetëm se një normë juridike që për qëllim ka rregullimin e një segmenti të caktuar të jetës shoqërore, ekonomike e politike. Sipas Fjalorit Anglisht të Oxford-it, ligji është “Sistemi i rregullave që një vendose komunitet i veçantë i njeh si rregullues të veprimeve të anëtarëve të tij dhe të cilat mund të zbatohen me vendosjen e gjobave.” Pra ligji nuk është strategji zhvillimore apo program zhvillimor, e as program i rimëkëmbjes ekonomike. Ligji mund të rregulloj çështje të caktuara që kanë të bëjnë me implementimin në praktikë të një programi të rimëkëmbjes, pra është një nga “instrumentet”, “mjetet”, “sistem rregullash”, që mbështet ekzekutimin në praktikë të një programi, pra edhe të një programi të rimëkëmbjes ekonomike.
Nëse është kështu, a kështu është, atëherë pse ishte e nevojshme të hartohet një ligj i ri e që do të quhet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID-19, e që në esencë qëllim kryesor ka amandamentimin e 8 ligje ekzistuese. A nuk do të ishte më lehtë që të hartohej një Program i qartë i Rimëkëmbjes Ekonomike, kurse ligjet ekzistuese të amandamentohen një nga një, në funksion të zbatimit në praktikë të atij programi. Apo edhe ky ligj kishte të njëjtin qëllim sikurse “pyetjet parlamentare”, për të debatuar sa për të grabitur vota të elektoratit, me deklarimet se na jemi për “rimëkëmbje ekonomike” por “këta” nuk po ju përkrahin, se na jena për punësim, por “këta” nuk po lejojnë punësimin, se na jena për përkrahje të qytetarëve dhe zbutje të varfërisë po “këta” nuk po lejojnë që të aprovohet tërheqja e 10% të fondeve nga Trusti Pensional, etj.
Propozuesi i ligjit është i vetëdijshëm se brenda ligjit ka “populizëm”, prandaj ka kërkuar ndryshime në paketë, e në veçanti lidhur me amandamentimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës me të cilin qytetarëve ju lejohet që të tërheqin 10% të fondeve të grumbulluara deri me tani. Ata këtë e kanë të njohur për faktin se nga vetë kabineti qeveritar, kanë deklaruar se mbi 50% e atyre që kanë fonde në Trustin Pensional, mund të tërheqin më pak se 100€.
Ata e dinë se edhe efekti ekonomik i multiplikimit të harxhimeve të parave t’ tërhequra, do të jetë pa ndonjë efekt për zhvillimin ekonomik. Po kështu ata e dinë se ndërhyrja në fondet në Trustin Pensional nuk është praktikë e mirë dhe si e tillë paraqet një precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Megjithatë debati për “10%-in” dhe gjëja për “dëmet” që po i shkaktohen qytetarëve dhe “ekonomisë Kejnsiane” si rezultat i vonesës në aprovimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ishin dhe vazhdojnë që të jenë “ngacmues” dhe mjaftueshëm për të prek ndjenjat e atyre që jetojnë dhe afarojnë në kushte të vështira ekonomike.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike pa Program të qartë të Rimëkëmbjes Ekonomike është si “municioni pa armatim”, andaj ky ligj nuk duhet të aprovohet në formën që është. Në vend të tij, të gjitha ligjet e prekura me këtë ligj “horizontal” duhet të amandamentohen secili veç e veç, e ndonjëri prej tyre edhe mund të mos ndryshohet në formën që është propozuar, siç është amandamentimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës. Po kështu edhe amandamentimi i Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duhet të analizohet me kujdes, në veçanti dispozitat që kanë të bëjnë me të drejtën e përdorimit nga qeveria të Fondit të Privatizimit, që në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet për qëllime tjera, përjashtimisht për investime kapitale, nga të cilat do të ketë përfitime afatgjata. Në vend të harxhimit pa kthim të këtyre fondeve, qeveria duhet të futë dispozita ligjore të cilat i mundësojnë që këto fonde ti përdor përmes instrumenteve të borxhit.
(Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”)
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...