Google ADS

Hodaj rreth arrestimeve të Speciales: Këta janë vetëm hapat e parë

23:59 | 25 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Avokati Taulant Hodaj ka thënë në Interaktiv të KTV-së se arrestimet e krerëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj për pengim të drejtësisë, pas arrestimit të së enjtes të Salih Mustafës, si rrjedhojë e konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, janë vetëm hapat e parë.

“Tash po shihen vetëm hapat e parë. Është vetëm fillimi i ekzekutimit të vendimeve të tyre”, ka thënë ai.

Hodaj ka treguar se në fletëarrest janë cekur dyshimet ndaj Gucatit e Haradinajt. Por, sipas tij, avokatët e tyre të mbrojtjes do të duhej të fokusoheshin tek liria e shprehjes.

“Nëse shikojmë pak më thellë standardet ndërkombëtare, atëherë besoj që në fazën e ardhshme do t’i takojë avokatit në atë frymë, që ata të mbrohen në bazë të lirisë së shprehjes”, ka thënë ai.

Sipas Hodajt, OVL e UÇK-së është dashur të tregohet e kujdesshme, por edhe Specialja ka mundur ta parandalojë tërë këtë gjendje.

“Mendoj që po ashtu përveç që nuk kanë qenë të kujdesshëm krerët e OVL, që është dashur të kenë këshilla profesionale se çfarë mund të publikohen, mendoj që është vetë gabim nga Specialja që kur ka pasur rrjedhje, është dashur të lëshohet një njoftim qytetarëve dhe tjerëve që nëse hasni apo keni dokumente konfidenciale që lidhen me emra e tjera, të mos i publikoni”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se edhe në rastet e EULEX-it ka pasur raste të ngjashme.

“Kur prokurorët e EULEX-it kanë pasur raste të tilla, ata kanë dërguar letër, duke iu paraprirë gjërave”, ka thënë ai./koha.net/

 

Të ngjashme