Google ADS

Qeveria e Maqedonisë lejon ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri në Shqipëri, por duhen 426 milion euro

21:18 | 24 Shtator 2020
Arbresh.info

426 milion euro do të nevojiten për fazën e parë për ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinë. Ky është një investim i komplikuar, kërkon edhe para si dhe resurse tjera, thotë drejtori i NP Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura, Festim Halili. Shpjegoi se vetëm shteti jonë nuk e ka përfunduar pjesën nga Korridori 8. Problem në situatën e tillë, siç thotë Halili, nuk janë vetëm financat por edhe papajtueshmëritë mes institucioneve në Qeverinë paraprake.

“Ky projekt është në gjatësi prej 63 kilometrave, duke filluar nga Kërçova e deri në kufirin e Shqipërisë. Së pari kemi problem të vogël me UNESCO-në për shkak se ata dy kilometra ku kalon trasa, afër liqenit të Ohrit, na than se duhet të analizojmë mirë nëse mund të gjendet ndonjë rrugë alternative. Andaj projekti është i ndarë në dy faza”, deklaroi Festim Halili – Drejtor i NP Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura.

Nevojiten katër vjet për përfundimin e fazës së parë, thotë Halili. Ndërtimin e projektit në mënyrë shtesë e vështirëson edhe terreni kodrinor- malor për çka do të nevojitet të nderohen 49 ura dhe 13 tunele. Janë planifikuar edhe dy stacione kryesore hekurudhore në Mesheishte dhe Strugë, ndërsa do të ketë edhe 4 mini stacione afër trasës. Faza e parë e projektit kushton 426 milion euro, ndërsa për të dy fazat e projektit nevojiten gjithsej 525 milion euro. Por a do të mundet të mbajë këtë ngarkesë kjo ndërmarrje publike në kushte kur, sipas shumicës, kompania po përballet me borxhe?

“Këto janë projekte të mëdha dhe pa ndihmën e Ministrisë së financave dhe Qeverisë nuk mundemi t’i realizojmë. Të ardhurat tona si ndërmarrje janë shumë të ulëta në krahasim me planin për investime që e kemi për vitet e ardhshme”, theksoi Festim Halili – Drejtor i NP Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura.

Ministri për transport dhe lidhje, Bllagoj Boçvarski, në intervistën 10 Minuta në TV21 përsëriti se projekti e konfirmon edhe angazhimin e Qeverisë se do të investojë edhe në pjesën Perëndimore dhe Lindore të Korridorit 8.

“Bëhet fjalë për shumë mjete, shumë të madhe të parave. Projektet e kërkojnë këtë. A vlerësojmë ne se për këtë çështje është diskutuar shumë apo pak. Kjo është shuma reale që kushton”, u shpreh Bllagoja Boçvarski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Qeveria të martën solli vendim që për ndërtimin e hekurudhës nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinë të kërkojë 426 milion euro nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateral si grant mjete për ndihmë teknike, por tani për tani vetëm për projektin deri në Strugë./TV21/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme