Kuvendi i zgjodhi zëvendësministrat e rinj të qeverisë

00:28 | 24 Shtator 2020
Trina Galanxhi

 

Kuvendi sonte në kuadër të mbledhjes së 13-të me 62 vota “për”, 44 “kundër” dhe pa asnjë të përmbajtur ka zgjedhur zëvendësministrat e rinj të Qeverisë.

Për zëvendësministër të Mbrojtjes është zgjedhur Bashkim Hasani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi, ndërsa Agim Nuhiu është zgjedhur zëvendësministër i Drejtësisë.

Ilhan Rahman është zëvendësministër i ri cili do të udhëheq Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, ndërsa Fatmire Isaku për zëvendësministre të Punëve të Jashtme.

Zëvendësministër i Financave do të jetë Dimitar Kovaçevski, në Ministrinë e Ekonomisë Zoran Manevski, ndërsa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit të Ujërave, Trajan Dimkovski.

Ilir Hasani është zgjedhur zëvendësministër i Shëndetësisë, Arafat Shabani shkon në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Enver Huseini në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Zoran Dimitriovski në Ministrinë për Pushtet lokal, derisa Sedat Sulejmani në Ministrinë e Kulturës.

Për zëvendësministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës është votuar Aleksandar Bajdevski, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, ndërsa në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklievska.

Kryeministri Zoran Zaev tha se zëvendësministrat e propozuar janë njerëz profesionist të cilët meritojnë shansin dhe e ftoi opozitën t’i mbështesë ata. Tha se do të nxit edhe te ministrat dhe zëvendësit të bashkëpunojnë me Kuvendin.

Deputetët e LSDM-së thanë madje se deputetët e opozitës zhvillojnë garë për atë se kush do të japë më shumë të pavërteta, ofendime dhe shpifje për kryeministrin, përfaqësuesit e shumicës dhe kandidatët për zëvendësministra. Nenad Kociq tha se presin që zëvendësit bashkë me ministrat dhe kryeministrin të luftojnë në realizimin e programit të qeverisë dhe kahen që ka zgjedhur shumica e qytetarëve- NATO, zhvillim ekonomik dhe integrimet në BE.

Deputetët nga opozita kanë akuzuar për situatën e vështirë në shëndetësi dhe industrinë e lëkurës në Shtip ku siç thanë, “pasojnë largime nga puna”. Kanë folur për përballje me koronavirusin, duhanin, vreshtarinë, plasmanin dhe çmimet e ulëta të produkteve, arsimin, ekonominë.

Lidija Petkoska nga VMRO-DPMNE konsideron se turizmi është para kolapsit. Ka apeluar deri te zëvendësministrat e propozuar, veçmas në ekonomi dhe financa që nesër të realizojnë takime me punonjësit turistik dhe të shqyrtojnë kërkesat e tyre që deri te ministritë e përmendura siç tha, “janë dorëzuar që në qershor të këtij viti”.

Deputeti Dimitar Apasiev nga “E Majta” tha se mes zëvendësministrave të propozuar ka personalitete me biografi të pasur dhe është pajtuar se duhet t’u jepet shansi, por ka edhe “fytyra të vjetra që kanë bagazh nga e kaluara”.

Deputetja Merita Koxhaxhiku tha se BDI do të mbështes të gjithë zëvendësministrat e propozuar por edhe do t’i kritikojnë nëse ka nevojë për këtë. Prej tyre presin pjesëmarrje aktive, përfshirje maksimale në proceset e filluara dhe politikat e mira ndëretnike dhe fqinjësore. Ajo tha se i ka analizuar biografitë e kandidatëve për zëvendësministra dhe e bindur se ata do të ndihmojnë në ministritë ku janë propozuar.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se mbledhja e 14-të e radhës do të mbahet të premten ku është paralajmëruar fjalim i presidentit të Republikës së Sllovenisë, Barut Pahor./gazetamk/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme