Mbi 24 mijë qytetarë janë gjobitur për më pak se një muaj, për mosrespektim të masave anti-Covid.
Të gjitha mjetet nga gjobat e shqiptuara nga Policia nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji për luftimin e COVID-19, do të derdhen në buxhetin e komunave.
Vendosja e maskës, izolimi dhe ndalimi i qarkullimit pas orës 22:30 deri në orën 05:00, janë disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Për ata që nuk i respektojnë këto masa, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Sanitar kanë shqiptuar gjoba.
Çdo person që nuk mban maskën dënohet me 35 euro, kurse ai që s’ respekton ndalim-qarkullimin do të dënohet me 200 euro. Ata që nuk e respektojnë izolimin do të dënohen me 500 euro.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, kanë treguar se nga dita kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri për luftimin e COVID-19 janë shqiptuar më shumë se 24 mijë tiketa.
“Angazhimet e Zyrtarëve policor në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës nga data 26.08.2020-20.09.2020: Gjithsej tiketa: 24349, persona të arrestuar: 4, fletparaqitjet (tiketat) e dërguara në Gjykatë: 4, Vërejtje policore 5918”, thuhet në përgjigjen e PK’së.
Të gjitha mjetet nga gjobat e shqiptuara nga Policia e Kosovës për masat anti-Covid, do t’u shkojnë komunave.
Këtë e ka thënë për Express drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
“Mjetet nga gjobat që Policia e Kosovës ka shqiptuar ndaj qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar masat e Qeverisë për parandalimin e COVID-19, do t’i shtohen buxhetit të komunave”, ka deklaruar Ibrahimi.
“Sepse tiketat shqiptohen ndaj qytetarëve të atyre komunave dhe me automatizëm kthehen në buxhetet komunale”, ka thënë Ibrahimi.
Nga data 13 korrik, Qeveria e Kosovës ka vendosur masa strikte për mbrojtje nga COVID-19.
Të martën, në mbledhjen e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirus, është kërkuar që të lehtësohen disa nga masat e vendosura.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që të zgjatet orari i punës së sektorit të gastronomisë dhe orari i lëvizjes, deri në orën 00:00.
Kjo kërkesë është bërë pasi për shkak të pandemisë, sektori i gastronomisë ka pësuar humbje të mëdha.
Po ashtu, për shkak të rënies së temperaturave, është kërkuar që lokaleve të iu lejohet edhe puna në hapësirat e mbyllura.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të martën pas ka thënë se këto masa mund të lirohen, por kjo do të bëhet në bazë të vlerësimit të situatës.
“Me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja qoftë në kufizimin kohor por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garant ndërkombëtare. Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin të cilin e kemi të situatës, personalisht dhe në emër të MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematikë”, ka deklaruar Zemaj.
IKD organizon konferencë për ligjin e pagave në sektorin pub...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri
Media spanjolle “La Vanguardia”: Zbuloni Beratin, qytetin pë...
Komisionet parlamentare vazhdojnë shqyrtimin e ligjit për bu...
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...