Edicioni i 31-të i festivalit “Zambaku i Prizrenit”

10:46 | 23 Shtator 2020
A. B.

Festivali tradicional i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit”, sivjet shënon edicionin e tridhjetë e një. Për shkak të kushteve të krijuara nga situata e pandemisë COVID-19 dhe masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit, Komuna e Prizrenit ka vendosur që sivjet festivali të organizohet pa prezencën e publikut dhe të transmetohet në RTK.

Mbrëmja e “Zambakut…” do të mbahet më 3 tetor 2020 në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren, ku gjithsej do të garojnë gjashtëmbëdhjetë këngë si dhe do të jepen katër çmime. Juria profesionale për shpalljen e këngëve fituese do të bëjë përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit për çmimin e parë, dytë dhe tretë, ndërsa të gjithë teleshikuesit do të kenë mundësinë të votojnë online nëpërmjet uebfaqes së festivalit për këngën e tyre të preferuar, e cila edhe do të rrëmbejë çmimin kryesor të festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

Nga të gjitha këngët konkuruese të edicionit të 31-të, juria profesionale/seleksionuese e përbërë nga: David Tukiçi – prof. kompozitor/dirigjent (kryetar i jurisë), Mentor Zajmi – prof. klarinetist (anëtar) dhe Edon Ramadani – prof. dirigjent (anëtar), kanë përzgjedhur 16 këngët garuese të festivalit si në vijim:

1. “Për ty” – Ruzhdi Sadiku

Muzika dhe orkestrimi: Ruzhdi Sadiku, vargjet: Bashkim Buxhovi

2. “Larg dhe afër” – Laorjan Ejlli

Muzika: Oleg Gjerga, vargjet: Preç Zogaj, orkestrimi: Gazmend Kraja

3. “Melosi hynjor” – Qëndresa Bunjaku

Muzika dhe vargjet: Arijeta Daci, orkestrimi: Hysni Klinaku

4. “Më i bukuri vend” – Besmir Shishko

Muzika: Veton Perolli, vargjet: Musa Bushrani, orkestrimi: Artan Elshani

5. “Mall” – Shaban Krasniqi

Muzika: Shaban Krasniqi, vargjet: Ismail Kadare, orkestrimi: Arbër Krasniqi

6. “Kthimi në Atdhe” – Rakipe Karaj & Mario Zaja

Muzika dhe orkestrimi: Ylli Kalaja, vargjet: Aulon Kalaja

7. “Të takohemi në Zambak” – Dardan Gjinolli

Muzika, vargjet dhe orkestrimi: Dardan Gjinolli

8. “Lamtumirë moj gotë” – Gentian Gojani

Muzika, vargjet dhe orkestrimi: Shkëlqim Raci

9. “Je frymë për mu” – Eda Cerriku

Muzika dhe orkestrimi: Orges Kallaku, vargjet: Denata Toçe

10. “Bulamazsin” – Hürmet Celina

Muzika dhe vargjet: Hyrmet Celina, orkestrimi: Sertan Sallahi

11. “Kur jam me ty” – Niki Mjeda

Muzika: Anton Kaftalli, vargjet: Lindita Halili, orkestrimi: Ilir Zoga

12. “Vdeksha n’sytë e tu” – Fioralba Syla

Muzika, vargjet dhe orkestrimi: Naim Krasniqi

13. “Hëna dhe ti” – Eranda Bytyçi & Fatih Qukiqi

Muzika dhe orkestrimi: Anida Gjinali, Vargjet: Fiona Thaçi

14. Zemra zemrën vet e gjenë – Ana Lushi

Muzika: Jetmir Barbullushi, vargjet: Jorgo Papingji, orkestrimi: Shpëtim Saraçi

15. “Nën hijen e lisit plak” – Agon Tufa

Muzika: Hysni Klinaku, vargjet: Milaim Islami, orkestrimi: Agron Syla

16. “Një natë vere në Prizren” – Tolga Kazaz

Muzika dhe vargjet: Kujtim Gërmizaj, orkestrimi: Artan Elshani.

Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, “shansonet” e serenadat. Gjatë viteve 90-të, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bartë në vitet e pasluftës, prej kur Komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit e fillim të korrikut dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake. “Zambaku i Prizrenit” përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertorin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë.

Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit. Për më shumë info, mund të shihni faqen zyrtare të festivalit në Facebook dhe Instagram (Zambaku i Prizrenit).

Të ngjashme