Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur se partia e tij dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani do t’i marrin më shumë se 50 për qind të votave, në zgjedhjet e radhës në Kosovë.
“Do të bëjmë çmos që t’i kemi 50 për qind e më shumë. Besoj që është e realizueshme ne bashkë me z. Osmani. Ama, më duhet ta them edhe një gjë: Jemi në hall, me kënd të bësh koalicion”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se njëherë “ka bërë koalicion me këta”.
“Çka janë këta njerëz që çojnë mesazhe: Dola prej koalicionit unë, s’po mund ta mbaj presionin. Çfarë të bësh me këta njerëz”, ka thënë ai në KTV.
Kurti në vijim ka përmendur sfidat e shumta me të cilat përballet Kosova.
“Katërfish më shumë, burrat gjejnë vend pune krahasuar me gratë, edhe pse gratë kanë më shumë përgatitje universitare sesa burrat. Çfarë shifrash sociale i ke në Kosovë: mjerim. E ai më thotë; Po dal unë prej koalicionit”, ka thënë Kurti, duke treguar se fjalën e ka për “profesor Mustafën”.
Ai është shprehur i bindur që në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij do ta dyfishojë numrin e votave.
“Në fund unë besoj që do të dyfishohet rezultati i 6 tetorit dhe këtë dyfishim nuk e mendoj vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe për kryeparlamentaren Osmani. Tash varet edhe nga forma e angazhimit të saj, por në parim populli dëshiron që 6 tetorin ta konfirmojë dhe ta dyfishojë”, ka thënë ai.
I pyetur nëse beson që një pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ndahet, për ta formuar një parti të re që do të bëhej aleat i Vetëvendosjes, Kurti ka thënë: “Nuk e di se si do të shkojnë aty zhvillimet, por e di një gjë, se baza dhe konjuktura udhëheqëse kurrë s’kanë qenë më larg në LDK”.
Ai ka thënë se partia e tij e ka kaluar LDK-në të 17 nëntorit të vitit 2001 në zgjedhjet e asokohshme, kur Lidhja Demokratike i fitoi rreth 47 për qind të votave.
“46.2 për qind i kanë pasur dhe ne sipas sondazheve i kemi kaluar. Në sondazhin më të dobët për neve jemi 48 për qind. LDK-në e paraluftës nuk e kemi kaluar, por LDK-në e pasluftës ne e kemi kaluar. E për këtë LDK-në e sotme, kjo është e pallogaritshme”, ka thënë ai.
Ai po ashtu e ka përmendur procesin e zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.
“Po e bëjmë si një provë këtë çështjen e zgjedhjeve. Do të dëshmojmë që është e mundshme të mbahen, me maska e me dezinfektues. Prej Koresë së Jugut që mbajti zgjedhje e deri te vendet ballkanike, u pa që është e realizueshme një gjë e tillë. Dhe, unë mendoj që duhet të mbahen zgjedhjet”, ka thënë ai.
Por, sipas Kurtit duhet të kuptohet një gjë: “Edhe LDK-ja e edhe PDK-ja nuk janë as në një të tretën e mbështetjes së Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Ata i dijnë këto sondazhe dhe prandaj nuk i duan zgjedhjet”, ka thënë ai.
Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së, Maqedonci thotë se...
Kryeministri libanez shpreson për ‘faqe të re për Libanin’ p...
Shqipëria 2030 në BE, Rama: Plotësisht e mundur
Banorët hamendësojnë se sa mund të jetë ora
Regjistrohet tërmet në Maqedoninë e Veriut
Çadraku në Hagë: Thaçi dhe Veseli nuk kishin aktivitet ushta...