Në 75 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka vlerësuar meritat e OKB-së, por ka kërkuar edhe reformimin e saj. Merkel mbështet zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Shumë shpesh Këshilli i Sigurimit është i bllokuar, kur vjen puna për të marrë vendime të qarta. Ne kemi nevojë për reforma”.
Ky është thelbi i mesazhit me video që kancelarja Merkel ka dërguar me rastin e 75 vjetorit të krijimit të OKB-së në Nju Jork.
“Kombet e Bashkuara mund të jenë aq të suksesshme, sa ç’ bien dakord vendet anëtare”, tha politikanja e CDU-së.
Për të zgjidhur sfidat globale të shekullit të 21-të, duhet që OKB të zhvillohet më tej.
Në video-mesazhin me rastin e ceremonisë për jubileun e OKB-së, Merkel ka kritikuar qartë bllokimin e punës së OKB-së.
Kancelarja nuk përmendi as vende si Kina apo Rusia dhe as presidentin amerikan, Donald Trump, që ka preferuar veprimet unilaterale në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.
Por ajo ishte më se e qartë, kur tha, se shumë shpesh “Kombet e Bashkuara mbesin mbrapa idealeve që i kanë vënë vetes, sepse gjithmonë interesat e vendeve të veçanta pengojnë që sistemi i rendit të funksionojë si duhet të funksionojë”.
Merkel shtoi këtu se “kush mendon, se mund t’ia dalë vetëm mbanë, gabohet. E mira jonë e të gjithëve ndahet. Si vuajtja. Ne jemi një botë”.
Kancelarja gjermane ka marrë si shembull pandeminë e coronavirusit që tregon, se “problemet globale kërkojnë në të gjitha nivelet mirëkuptim dhe bashkëpunim përtej kufijve të vendeve”.
Merkel për një Këshill Sigurimi të zgjeruar
Gjermania është gati të marrë përgjegjësi më tej, “me dëshirë edhe në një Këshill Sigurimi të zgjeruar”, tha Merkel, në kuadër të propozimeve për reformën e OKB-së dhe instancës së saj më të rëndësishme.
Sfondi i kësaj është dëshira e Gjermanisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, ku ky vend aktualisht është i përfaqësues si anëtar jo i përhershëm për dy vjet.
Më tej Merkel ka vlerësuar punën e Kombeve të Bashkuara në konsolidimin e paqes si në Afganistan dhe Mali, por edhe në përndjekjen e krimeve të luftës si edhe në luftimin e varfërisë dhe shuarjen e sëmundjes së lisë.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh me kritika në jubileun e 75-të të OKB-së.
“Shtëpia jonë e përbashkët nuk është në gjendje të mirë”, tha Macron po në një mesazh me video.
“Fundamenti i saj është gërryer, muret janë çarë nga goditjet e atyre që e kanë ngritur vetë atë”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në fillim të ceremonisë shprehu pakënaqësinë se ka shumë “sfida multilaterale dhe një deficit në zgjidhjet multilaterale”.
Ai tha se “askush nuk e do një qeveri botërore, por ne duhet të punojmë së bashku, për të përmirësuar udhëheqjen në botë. /DW/
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...