Google ADS

Apeli ia vërteton dënimin për korrupsion ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja

11:17 | 22 Shtator 2020
Arbresh.info

Gjykata e Apelit ia ka vërtetuar dënimin për korrupsion, ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Muja bashkë me tre zyrtarë tjerë të Komunës së Prizrenit, Minir Krasniqi, Avni Ademaj, dhe Sadik Paçarizi akuzoheshin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 19 dhjetor 2018, i kishte shqiptuar dënim unik prej një viti burgim me kusht, ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa për dispozitvin 1 dhe 4 të aktakuzës, Muja ishte shpallur i pafajshëm.Fajtorë ishin shpallur edhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj komune, me ç’rast ish-drejtori i Administratës Publike, Minir Krasniqi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse ish-drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Avni Ademaj, me pesë muaj burgim me kusht, ndërsa ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Por, as ndaj tyre, dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës njëvjeçare.

Kurse, për dispozitivin 4, gjykata e kishte refuzuar akuzën ndaj Ramadan Mujës, Minir Krasniqit dhe Abdullah Tejeci, me arsyetimin se pas rikualifikimit të veprës penale nga neni 421, në nenin 339, si dispozitë më e favorshme, vepra penale në kohën në të cilën është kryer, ka arritur parashkrimin.

Të pakënaqur me këtë aktgjykim, mbrojtja e Mujës dhe dy të akuzuarve tjerë, Krasniqi dhe Ademaj ishte ankuar në Apel ku kishin kërkuar ndryshimin e aktgjykimit dhe lirimin nga akuza për të mbrojturit e tyre.

Kurse, e kënaqur me dënimet me kusht të shpallur nga shkalla parë, kishte mbetur Prokuroria Speciale e cila nuk ishte ankuar fare në Apel si dhe mbrojtja e të akuzuarit Paçarizi.

Mirëpo, edhe këto ankesa, si të pabazuara i ka refuzuar kolegji i Apelit, në përbërje nga gjyqtarët, Hava Haliti, Tonka Berishaj dhe Burim Ademi.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, ka thënë se ky rast është vendosur nga Apeli në qershor të këtij viti.

“Rasti Ramadan Muja etj. është kryer në qershor të këtij viti, aktgjykimi i gjykatës se shkallës së parë është vërtetuar”, thuhet në përgjigjen e Jasharit për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (PSRK) në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish-drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paçarizi dhe ish-drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Po ashtu, në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal, por me vendim direkt të ish-kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues për ish-kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare.

Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një aktgjykim të tillë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, por me ankesë të prokurorisë, rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme, ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017, kishte vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe rivendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë, ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të vitit të kaluar kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Kurse, ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme