Ja pse LDK-ja dhe PDK-ja nuk mund të bëhen bashkë për rimëkëmbjen ekonomike

15:37 | 21 Shtator 2020
arbresh.info

Polemikat ndërmjet deputetëve kanë bërë të qarta “pazaret” që pretendohen për të kaluar në Kuvend një ligj që do të mbështeste rimëkëmbjen ekonomike, pas problemeve të shkaktuara nga pandemia COVID19.

Derisa partia opozitare, konkretisht Partia Demokratike e Kosovës, e ka bërë të qartë se mbanë “inat” për mos votim të iniciativave ligjore të saja, partia e pozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton çfarëdo kushtëzimi që i bëhet me ligjet e fushave tjera.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, sqaroi publikisht në seancë plenare se nuk do mbështesin Projektligjin e qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike.

“Si grup parlamentar i kemi pasë disa iniciativa ligjore të cilat nuk kanë hasë në përkrahje. Këtu është esenca e kësaj çështjeje”, është shprehur Hamza.

Në polemikën për këtë çështje është përfshirë edhe deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Hej a po na votoni këtë ligj nuk është me kry punë, ajo është për me lagë gojën. E keni me shkrim prej 7 prillit. Prej 300 eurove për njerëzit e pa punë e deri tek pagesat për bizneset që janë para falimentimit. Na kem gjashtë muaj ma herët, e ky i qeverisë qe një muaj”, thotë Krasniqi.

Shefi  Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka refuzuar çfarëdo lidhshmërie të votimit të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike, me votimin e ligjeve të ndonjë fushe tjetër të propozuar nga opozita.

“Duhet me kalu këtë ligj pa e lidhë me ligjet tjera dhe fusha tjera. Për fusha tjera nuk pranojmë me e lidhë”, është shprehur Gashi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur përkrahje për secilën iniciativë ligjore, qoftë të qeverisë apo opozitës, që do të qonte përpara aspektin e rimëkëmbjes ekonomike./arbresh.info/

Të ngjashme