Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se plani i presidentit Donald Trump për ta mbushur shpejt një vend në Gjykatën Supreme, të mbetur bosh nga vdekja e gjykatëses liberale, Ruth Bader Ginsburg, është “abuzim me pushtetin”.
Ginsburg, 87 vjeçe, vdiq më 18 shtator. Vdekja e saj u jep republikanëve shansin të zgjerojnë shumicën e tyre konservatore në gjykatë, në proporcion gjashtë me tre.
Presidenti tha se do ta shpallë një të nominuar këtë javë dhe se zgjedhja e tij do të jetë grua.
Gjykatësit e Gjykatës Supreme i mbajnë postet përjetësisht dhe vendosin për disa nga çështjet më të ndjeshme politike, duke filluar nga aborti dhe imigrimi deri te ligjet për të drejtat civile dhe armët.
Vendi i lirë e ka rifokusuar fushatën zgjedhore, e cila deri më tani është përqendruar në trajtimin e pandemisë së koronavirusit, rënien ekonomike dhe trazirat racore.
Secili kandidat i Trumpit në Gjykatën Supreme duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë në Senat, ku republikanët kanë shumicën me 53 senatorë, kundrejt demokratëve me 47.
Duke folur në një fjalim televiziv nga Filadelfia, Biden u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që të presin deri pas zgjedhjeve të nëntorit për të mbushur vendin në gjykatë.
“Edhe nëse presidenti Trump dëshiron të paraqesë një emër tani, Senati nuk duhet të veprojë sipas tij, derisa populli amerikan ta zgjedhë presidentin e tij të ardhshëm dhe Kongresin e ardhshëm”, tha Biden.
“Nëse Donald Trump i fiton zgjedhjet, atëherë Senati duhet ta peshojë atë të nominuar në mënyrë të drejtë. Por, nëse unë i fitoj zgjedhjet, i nominuari i Trumpit duhet të tërhiqet”, tha Biden.
Demokratët shpresojnë se një pjesë e republikanëve të moderuar mund t’i rezistojnë të nominuarit të Trumpit. Do të duhen katër senatorë republikanë për të prishur planet e Trumpit, sepse nënpresidenti Mike Pence mund të votojë për të thyer barazimin.
Të dielën, senatorja republikane Lisa Murkowski tha se nuk duhet të zhvillohet asnjë votim në Senat përpara zgjedhjeve. Një ditë më herët, senatorja tjetër republikane, Susan Collins, tha se zgjedhja e gjykatësit duhet t’i lihet atij që i fiton zgjedhjet.
Por, pak orë pas vdekjes së gjykatëses Ginsburg, udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell, tha se i nominuari i Trumpit për gjykatës do të votohej në Senat.
Edhe kryetari i Komitetit të Senatit për Drejtësi, Lindsey Graham, tha se e mbështet avancimin e çdo kandidati të Trumpit përmes komitetit të tij të fuqishëm.
Republikanët do të duhet të nxitojnë për t’i kaluar të gjitha pengesat procedurale dhe seancat dëgjimore, përpara se Senati të votojë të nominuarin.
Deri në zgjedhjet e nëntorit kanë mbetur vetëm 45 ditë, ndërsa emërimet për Gjykatën Supreme kanë marrë zakonisht rreth 70 ditë kohë.
Por, edhe nëse demokratët e fitojnë garën për Shtëpinë e Bardhë dhe shumicën në Senat, në Kushtetutën amerikane nuk ka asgjë që ndalon Trumpin dhe republikanët të miratojnë gjykatësin, përpara se të betohet Kongresi i ri, më 3 janar.
“Kemi mjaft kohë. Po flasim për 20 janarin”, tha Trump në një tubim në Karolinën e Veriut, duke iu referuar kohës kur inaugurohet presidenti i ardhshëm.
Më herët, Trump lavdëroi dy gjykatëse që shërbejnë në gjykatat federale të apelit. Amy Coney Barrett dhe Barbara Lagoa shihen si zgjedhje të mundshme dhe janë konservatore./REL/
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...
Agim Ademi dhe Franco Foda optimistë për ndeshjen me Islandë...