Policia e Spanjës: Malet janë mbushur me marihuanë nga shqiptarët

10:52 | 21 Shtator 2020
Arbresh.info

Malet Pirenej në anën spanjolle janë pushtuar nga trafikantët e mëdhenj shqiptarë, për të kultivuar marihuanë në sasi të mëdha. Ata shfrytëzojnë zonat e pabanuara për të krijuar fermat e tyre industriale. Mediat vendase raportojnë se zonat më të sulmuara janë përmes rajoneve të tilla si Hoya de Huesca, PallarsJussà (Lleida) ose qarku i vjetër i Ribagorza-s.

Kultivuesit tradicionalë i janë bashkuar mafies shqiptare dhe plantacionet gjigante ruhen nga njerëz të armatosur, që rekrutohen nga vendet e Evropës Lindore dhe që thuhet se janë ish-ushtarakë. Trafikantët e zhvendosur në Pirenej, e kanë kthyer kultivimin e marihuanës në një biznes serioz dhe potencialisht më të rrezikshëm. Gjithçka tregon se ata nuk do të ndalen, pavarësisht nga fakti se tashmë e ndiejnë prezencën e policisë mbi kokat e tyre.

Pse shqiptarët “pushtuan” Pirenejtë

Në Pirenej u ndërtuan rezervuarë gjigandë nga shteti, e për pasojë banorët pranë Pirenejve u shpronësuan për tu zhvendosur në qytete. Këto zona malore siguruan kushtet e favorshme për plantacione; ujë, dritë, fara të përshtatura për tokat dhe lartësinë e atyre vendeve. Të gjitha këto elementë gjendeshin pa vështirësi për përvojën e shqiptarëve në mbjelljen e marihuanës.

Nëse ata kanë arritur ta bëjnë këtë biznes të funksionojë, kjo është në sajë të gjykimit të tyre, një infrastrukture të sofistikuar dhe një organizate të frymëzuar nga “ushtria” që kishin provuar tashmë shumë më parë në vende si vetë Shqipëria ose Italia e Jugut.
“Pa asnjë lloj dyshimi ka pasur një ndryshim cilësor dhe sasior në llojin e të korrave ”, tregon një efektiv policie që bën pjesë në Sektorin e Narkotikëve.

“Marihuana ka qenë gjithmonë këtu. Dhe nuk po flasim vetëm për ‘hipitë’. Në çdo fshat përreth Huesca-s gjenden disa bimë të fshehura midis fushave të misrit. Por ajo që po përballemi tani janë grupet e organizuara ndërkombëtare”, shton zyrtari i policisë.

“Gjatë muajve të fundit, ka pasur operacione policore që kanë ndihmuar në zbërthimin e enigmës dhe të kuptojmë se si funksionon, por sfida e madhe mbetet gjetja e degëzimeve të saj dhe arritja në krye të organizatave. E para nga zbulimet e mëdha të bëra nga Policia Kombëtare në Alto Aragón u zhvillua në pyjet me pisha Agüero dhe Murillo de Gállego nëntorin e kaluar.

Shtatëdhjetë agjentë morën pjesë në operacion, i cili rezultoi në kapjen e 16 mijë bimëve kanabis. Hetimet policore bënë të mundur zbardhjen e lidhjevetëkultivuesve të arrestuar me një grup me origjinë shqiptare, që policia kishte hetuar që nga Prilli i kaluar dhe të cilëve iu ishin atribuuar disa grabitje me dhunë.

“Kuptojmë se paratë që ata mund të marrin nga plantacione si këto janë të pallogaritshme, por ata gjithashtu duhet të investojnë shuma të mëdha. Duhet të marrin me qira automjete, të ndërtojnë infrastrukturë dhe të mbajnë një grusht njerëzish në male për pesë apo gjashtë muaj ”, shpjegon efektivi i policisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme