Google ADS

Tovërlani: Disa skuadra janë përforcuar më shumë se ne, rëndësi kanë dalja në Evropë, titulli dhe Kupa e Kosovës

19:33 | 20 Shtator 2020
Arbresh Info

Trajneri i Feronikeli-t, Afrim Tovërlani ka folur lidhur me edicionin 2020/21 të Superligës së Kosovës.

Feronikeli sot (e diele) arkëtoi tri pikë të arta ndaj Gjilani-t në “Rexhep Rexhepi”, skuadër të cilën e mposhti me rezultat bindës 4 – 0.

Tovërlani në një prononcim për arbresh.info, tha se synojnë të jenë në pjesën e epërme të tabelës.

“Unë mendoj që nuk ka skuadër që fillon me ambicie për me qenë në pjesën e epërme të tabelës. Do mundohemi të jemi në pjesën e epërme të tabelës dhe me kalimin e kohës do të definohet ku do jemi”, deklaroi fillimisht trajneri më i trofeshëm në Kosovë.

Tutje, i pyetur për objektivat e klubit se nëse është dalja në Evropë, Kupa e Kosovës apo titulli, tekniku prishtinas deklaroi se rëndësi kanë të gjitha, mirëpo është në dijeni të skuadrave kundërshtare të cilat janë përforcuar dukshëm më shumë.

“Rëndësi kanë të gjitha që i përmende. Fillimisht ka skuadra të tjera të cilat janë përforcuar, kanë transferuar edhe më shumë futbollistë se ne dhe kanë paguar më shumë, por ne nuk jemi orientuar nga futbollistët shumë të shtrenjtë, jemi orientuar nga ajo që të formojmë një skuadër kualitative, të mirë dhe të fortë, kurse me kalimin e kohës do e shohim se ku jemi”, u shpreh Tovërlani.

Momentalisht Feronikeli prinë në tabelë me tri pikë, derisa në ndeshjen e radhës përballet me Ballkani-n në Suharekë./E.Bytyqi/arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme