Kosova me ngecje të lartë në mësimnxënie

16:51 | 19 Shtator 2020
A. B.

Kosova sërish u alarmua nga mekanizmat ndërkombëtarë për cilësi të dobët në arsim.

Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore i cili ka matur rezultatet e kapitalit njerëzor, kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.

Ky raport tregon se një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vite shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të.

Por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vitesh.

Këto të dhëna të Bankës Botërore konsiderohen shqetësuese për ekspertë të fushës së arsimit dhe atyre të ekonomisë.

Sipas tyre, e gjithë kjo po përcillet me efekte negative në zhvillimet e përgjithshme socio–ekonomike të vendit.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo po dëshmon se sistemi arsimor ka shpërputhje me sistemet tjera arsimore në Evropë.

“Në Kosovë mungon cilësia në arsim, cilësi që pastaj bartet me vite mbrapa për nxënësit krahasuar me bashkëmoshatarët tjerë nga vendet e tjera. Ky raport rithekson domosdoshmërinë për reforma rrënjësore në sistemin arsimor në mënyrë që të mos krijojë padrejtësi për ngecje për nxënësit, por të arrijë atë synim që ka që është përparim në dije e që pastaj do të kontribuonte tutje në zhvillimin socio – ekonomik të shoqërisë”, thotë Qehaja.

Sipas tij, Kosovës nuk i mungojnë dokumente dhe strategji për ngritje të arsimit, por i mungon llogaridhënia. Ai shton se derisa të mos ketë një përgjegjësi të instaluar, atëherë edhe shumë iniciativa për reforma do të dështojnë në zbatim.

Musa: Cilësia e ulët në arsim me pasoja të mëdha në ekonomi
Në anën tjetër, ekonomia e vendit, pëson nga cilësia e dobët e arsimit në Kosovë, thotë eksperti për çështjeve ekonomike Lekë Musa. Ai për Radion Evropa e Lirë spjegon se efekti i parë i ngecjes në mësimnxënie dhe mos përshtatshmërisë së cilësisë së arsimit kundrejt nevojave të tregut të punës, e bën Kosovën jokonkurruese për investitorët e huaj.

“Me këtë nivel të mësimnxënies, Kosova është më pak atraktive për investitorët e huaj për të investuar në Kosovë sepse llogaritet që cilido punëdhënës duhet të investoj mjaft shumë dhe ka kosto të lartë për të përgatitur fuqinë punëtore për të sjell në nivel të kënaqshëm për të qenë i gatshëm për tu përballuar me kërkesat e tregut të punës”, thotë Musa.

Produktiviteti i fuqisë punëtore në Kosovë është mjaft i ulët dhe kjo sipas tij, përkthehet në kosto të lartë të angazhimit të fuqisë punëtore.

“Kosova pretendon se njëra prej arsyeve pse investitorët e huaj duhet të vinë në Kosovë është për shkak se ka fuqi të lirë punëtore, por nëse kjo fuqi punëtore nuk mund të ofrojë atë çka kërkon tregu, kjo përkthehet në kosto të lartë dhe fuqia punëtore është e pashfrytëzueshme. Pra, të gjitha këto kanë ndikim direkt në ngecje të zhvillimit ekonomik dhe normë të lartë të papunësisë krahasuar me vendet tjera të rajonit”, thotë Musa.

Të dhënat ndër vite të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë treguar se papunësia në Kosovë ka qenë në vazhdimësi e lartë. Në vitin 2019, sipas ASK-së, papunësia ishte 25.7 për qind. Po ashtu edhe investimet e huaja në Kosovë përgjatë viteve kanë shënuar rënie.

Në vitin e kaluar, vlera e investimeve të huaja në Kosovë ka qenë 265 milionë euro.

Massimiliano Paolucci, menaxheri i vendit për Kosovën i Bankës Botërore në rastin e publikimit të këtij raporti citohet të ketë thënë se‘investimet në kapitalin njerëzor – njohuritë, shkathtësitë dhe shëndeti që njerëzit akumulojnë gjatë jetës së tyre – janë thelbësore për përmirësimin e rritjes ekonomike në Kosovë dhe në vendet e tjera”.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë nuk kanë dashur të komentojnë raportin e Bankës Botërore.

Për cilësi të dobët në arsim, Kosova ishte alarmua për të dytën herë me radhë nga Programi për vlerësim ndërkombëtarë të nxënësve i njohur me shkurtesën ‘PISA’, në vitin 2019. Ky mekanizëm e pati radhitur Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke ranguar të tretën nga fundi i listës.

SBASHK: Vlerësimi i Bankës Botërore, i paqëndrueshëm
Sindikata e Bashkuar për Arsim dhe Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) nuk pajtohet me vlerësimet e bëra nga Banka Botërore lidhur me nivelin e ulët të mësimnxënies në Kosovë.

Kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka mungesë të një sistemi të mirë arsimor, por jo aq të ulët sa e ka paraqitur Banka Botërore.

“Nuk është i qëndrueshëm ky vlerësim nuk e di se ku i kanë marrë këto vlerësime, pasi që është nënçmues për nxënësit në Kosovë pasi që në garat ndërkombëtare nxënësit nga Kosova nuk mbesin mbrapa bashkëmoshatarëve të tyre”, thotë ai.

Sistemi i arsimit në Kosovë, thotë Jasharaj, përballet me probleme të mëdha, por jo deri në atë nivel që nxënësit nga Kosova të jenë 5 vite mbrapa në mësimnxënie krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në vendet tjera të botës.

“Në kushtet që punojnë mësimdhënësit dhe në kushtet që vinë nxënësit për të marrë dije janë të dobëta dhe duhet bërë investime më të mëdha, shkollat duhet të pajisen me kabinete dhe gjëra tjera që arritjet të jenë më të larta”, thotë ai.

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara.

Institucionet e vendit ishin kritikuar për mosndarje të mjaftueshme të mjeteve financiare për arsimin. Nga 2.3 miliardë euro të buxhetit të Kosovës në vitin 2019, për shpenzimet në arsim ishin ndarë jo më shumë se rreth 300 milionë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme