Pa kontrata e në mungesë të vulës, studentët nuk arrijnë të marrin vërtetim nga Zyra për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së

08:24 | 19 Shtator 2020
L G

Ka më shumë se një muaj që  Sylë Vitia është emëruar drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ani pse është në zyrë ai nuk po merret me kërkesat e kësaj kategorie, raporton arbresh.info.

Askush nuk mund të kryejë asnjë shërbim në këtë zyrë.

Një student të cilit i është dashur të marr një vërtetim për tu regjistruar, i ka thënë portalit arbresh.info se nuk ka arritur ta marrë këtë shërbim.

V.Sh, ka deklaruar se ka disa ditë që shkon në këtë zyrë, por ajo është e mbyllur dhe nuk ofron asnjë shërbim.

“Për t’u regjistruar në fakultet duhet me marrë edhe një letër nga zyra për çështje të kategorive të dalura nga lufta e UÇK-së, që gjendet në Qeverinë e Kosovës. Por, kjo zyrë nuk është duke lëshuar vërtetime dhe nuk është duke punuar. Nuk e di pse! Kam shku disa herë aty, por që nuk ka qenë askush. Kjo letër na duhet përshkak që kërkohet në fakultet tani kur të hapet afati, duhet të dorëzohet edhe ai dokument. Ne nuk e dimë ku duhet të merret, pasi diku tjetër nuk lëshohet”, ka thënë për arbresh.info.

Sylë Vitia i konkatuar nga arbresh.info ka thënë se kjo zyre nuk ka funksioni me muaj të tërë, konkretisht që nga marsi, shkaku se stafit ju kanë skaduar kontratat.

“Nga marsi nuk ka funskionu si zyre dhe nuk ka aktualisht as staf, se i gjithë stafi kanë qenë me kontratë mbi vepër. Në periudhën e fundit kohore ju ka skaduar kontrata të gjithëve atyre, mandej janë disa procedura të brendshme me bë një riorganizim të brendshëm të zyrës në mënyrë që me mund me i kry shërbimet”, ka thënë ai.

Syla thotë se shumë shpejt do të kryhen të gjitha përgatitjet dhe do të nisë të lëshohen dokumentet e kërkuara.

“Nuk është lëshua deri me tani asnjë vërtetim se ka pas procedura në rregullimin e vulës, protokollit sepse kjo zyre deri me tani, deri në momentin që Komisioni Qeveritar ju ka marr mandati nga Qeveria është përdor vula e komisionit. Aktualisht kjo zyre nuk ka të drejtë me përdor vulën e Komisionit Qeveritar mandej është dashtë me i bo procedurat tjera të brendshme për me funksionalizu zyrën”, ka deklaruar Vitia për arbresh.info.

Ndryshe, Zyra për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bashkërendon dhe koordinon aktivitetet për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, sipas Ligjit nr. 04/L -054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./arbresh.info/

Të ngjashme