Grubi: Punësimi i pjesëtarëve nga bashkësitë e tjera etnike është në dobi për kompanitë private

18:58 | 17 Shtator 2020
Arditë Shkodra

Zv. kryeministri i parë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Bashkësive, Artan Grubi, sot e sqaroi paralajmërimin për subvencionimin e punësimeve në sektorin privat të anëtarëve të komuniteteve tjera etnike në vend.

“Në programin e Qeverisë të miratuar në Kuvend qëndron se Qeveria do t’u bëjë thirrje dhe inkurajojë sektorin e biznesit, kompanitë vendase dhe të huaja për të mbështetur marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimit dhe besimit të ndërsjellë në mjediset e tyre të punës për të përfituar nga burimet njerëzore që ka në dispozicion vendi ynë”, tha Grubi në deklaratën për mediat përpara Qeverisë, duke shtuar se ideja ishte të inkurajojmë kompanitë në sektorin privat të punësojnë anëtarë të komuniteteve të tjera.

Grubi thekoi se akoma nuk dihet se si do të realizohet subvencionimi.

Sipas tij, do të ishte e dobishme për kompanitë e huaja të kishin punonjës që i përkisnin bashkësive të tjera etnike dhe nga këndvështrimi praktik kryesisht për gjuhën dhe komunikimin me qytetarët.

Kjo ide, thotë ai, si parti politike u paraqit gjatë fushatës.

Çelësi etnik, konsideron ai, është shumë i rëndësishëm sepse, siç theksoi, në fakt, kështu e kërkon Marrëveshja e Ohrit dhe parimi kushtetues i përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve në vend.

Ai konsideron se numri i përfaqësimeve të komuniteteve në kompanitë private është shumë i vogël.

 

Të ngjashme