Ismaili: Diskutimi për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe asociacionin në Bruksel janë agjendë e Serbisë

18:22 | 17 Shtator 2020
L G

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, është treguar i ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, është treguar i ashpër ndaj “Qeverisë Hoti”, në lidhje me dialogun.

Në fjalimin e tij, Ismaili kryeministrin Hoti e ka cilësuar si vozitës, raporton lajmi.net.

“Mund të cilësohet me një vozitës të ri që ka hyrë në një rrethrrotullim sa që është i kënaqur që po e bën të njëjtën rrugë dhe ndërtesat i duken të reja”, tha Ismaili.

Sipas tij, kjo qeveri e ka përkeqësuar dialogun pasi që tashmë Serbia është siç u shpreh Ismaili, hisedare në Ujman.

“Qeveria Hoti me ekipin masiv e ka përkeqësuar dialogun, duke ia shtuar edhe një temë atë të resurseve dhe pasurive. Është e hera e parë që pasuritë dhe resurset bëhen pjesë e pazareve. Hoti së bashku me bashkëpunëtorët e ka bërë Serbinë hisedare në Ujman”, deklaroi deputeti Ismaili.

Sipas Ismailit, procesi i dialogut ka dhënë efekte të dëmshme dhe është jotransparent, sepse siç theksoi ai, para qytetarëve po mbahet i fshehur fakti se po rrezikohet sovraniteti i Kosovës për shkak të çështjes së Ujmanit.

Ismaili deklaroi se, është agjendë e Serbisë dhe jo interes i Kosovës që në Bruksel të diskutohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe për asociacionin.

“Çdo diskutim për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe asociacionit në Bruksel është agjendë e Serbisë dhe jo interes i Kosovës”, deklaroi Ismaili.

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/1394535434084237/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme