Pala kosovare dhe ajo serbe kanë zhvilluar sot në Bruksel takimin e radhës në nivel ekspertësh me ndërmjetësimin e te dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Tema që është diskutuar sot në tryezë ka qenë ajo për pretendimet financiare dhe çështjet e borxhit.
Në përfundim të takimit koordinatori i Kosovës, Skënder Hysni deklaroi se gjatë bisedimit të sotëm nuk është folur për çështjen e bashkësisë së komunave serbe.
“Nuk është diskutuar fare kjo temë. Natyrisht që delegacioni serb ka bërë përpjekje që ta hapë këtë temë, ndërkohë që ne e kemi refuzuar kategorikisht”, u shpreh Hyseni.
Sa për pretendimet financiare, ai tha se kërkesat e Kosovë janë të bazuara në praktikat e mëparshme të suksesionit, siç ka ndodhur me vende të tjera të ish-Jugosllavisë.
“Ne e shohim si çështje të suksesionit, e cila duhet të bëhet në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, mbi praktikat e suksesionit që kanë ndodhur midis entiteteve të ish-Jugosllavisë, tashmë shtete të pavarura. Dhe ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës. Në këtë, patjetër që përfshihen edhe borxhi i jashtëm, ta zëmë. Edhe këtu Kosova ka qëndrim shumë parimor, që është në pajtim të ngushtë me të drejtën ndërkombëtare”, tha Hyseni.
Ndërkohë sa i diskuton temës për borxhin e jashtëm, ai tha se, Kosova mbështet parimin e të drejtës ndërkombëtare dhe negocion me Serbinë i shtet i pavarur.
“Te borxhi i jashtëm, ne do ta aplikojmë dhe do të insistojmë që të aplikohet parimi i përfituesit të fundit. Nëse një borxh i jashtëm i ish-Jugosllavisë është investuar për ndonjë projekt madhor në Kosovë, dhe dihet cili është përfituesi i fundit, ne do ta ndjekim këtë linjë të negocimit, elemente të marrëveshjes së përgjithshme për pretendimet financiare. Natyrisht që nuk ka asnjë mundësi që ne të bisedojmë në rrafsh tjetër për këto çështje, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe kjo temë mund të trajtohet dhe të bisedohet vetëm mbi bazën shtet-më-shtet, duke vendosur edhe instrumentet për zbatim. Ta zëmë, mund të arrijë puna një ditë deri te gjykata e arbitrazhit. Dhe në këtë pikë, Kosova është shumë e qartë. Është absolutisht konfom të gjitha normave të së drejtës ndërkombëtare që kanë të bëjnë me një suskesion ose zgjidhje të kontesteve të natyrës së kërkesave dhe të pretendimeve financiare”, deklaroi koordinatori i Kosovës.
Hyseni tha që pavarësisht përpjekjeve të delegacionit serb, asociacioni nuk është diskutuar fare në ditën e sotme. Megjithatë, ai kujtoi se tema që mbetet për t’u diskutuar tani është statuti i asociacionit, dhe se Prishtina do të japë një qëndrim të qartë politik.
“Nuk është diskutuar fare kjo temë. Natyrisht që delegacioni serb ka bërë përpjekje që ta hapë këtë temë, por ne e kemi refuzuar kategorikisht. Ndërkohë që për gjithë ato komente në Kosovë unë nuk do të përgjigjem sepse nuk i kam përcjellë të gjitha në rend të parë. Por duhet nënvizuar një fakt, që ka pasur dy marrëveshje të Asociacionit që janë shkruar, 2013, 2015. Në marrëveshjen e asociacionit të vitit 2015 gjykata ka bërë komentet e saj, në 21 apo 2 çështje të veçanta, dhe tani as gjykata nuk ka thënë që asociacioni nuk duhet të zbatohet. Tani është puna te statuti i asociacionit. Natyrisht që në Prishtinë do të merret qëndrim politik i qartë për këtë punë. Unë dua dhe insistoj dhe kërkoj qëndrim të qartë politik. Sepse pa një qëndrim të qartë politik, nuk mund të trajtohet asnjë element i marrëveshjes së veçantë”,
Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, e pyeti Hysenin se kur do të diskutohet për komunat serbe, dhe i kujtoi se zëdhënësi i KE-së, Peter Stano, tha se Kosova duhet t’i përmbahet marrëveshjes së vitit 2013, të votuar me 2/3-tat e parlamentit, ku kanë pranuar krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pjesa e parë e deklaratës së zëdhënësit është e saktë. Pjesa e dytë kujtoj se është e nxituar. Sepse nuk ka dakordim final që të bisedohet për asociacionin, le më për datat”, tha Hyseni në lidhje me datën e takimit të radhë ku do të diskutohet për komunat serbe.
Për sa i përket zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013, koordinatori i Kosovës theksoi edhe një herë komentet e Gjykatës Kushtetuese dhe diskutimin e statutit të asociacionit.
“Ato janë marrëveshje ndërkombëtare që janë ratifikuar që të dyja, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka bërë komentet e saj, dhe ato komente janë tërësisht valide. Pra, është çështje e një qëndrimi të qartë. Po flasim për asociacionin në një kontekst tjetër tashmë. Po flasim në kontekst të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila patjetër duhet të rezultojë me njohje. Dhe ta ritheksoj edhe një herë. S’ka marrëveshje për asgjë për këtë proces në Bruksel, derisa nuk merremi vesh për çdo gjë”, tha Hyseni.
Nura e zëvendëskomandanti i KFOR-it flasin për situatën aktu...
Izraeli e bombardon Bejrutin, teksa liderët e tij pritet të ...
Anisa e ashpër ndaj Gjestit dhe Leos, pasi ky i fundit ia vo...
Kosova dhe Serbia do të ulen sërish për dialog më 17 dhjetor...
“Sistem i ri për monitorimin e shkollave”, Rama: Prindërit d...
Burimi diskuton me Drenushën pasi doli i papreferuar këtë ja...