Bytyqi-Byrnes: SHBA-ja është partnere strategjike e Maqedonisë së Veriut

15:30 | 17 Shtator 2020
Arbresh.info

Zv.kryeministri i obliguar për Çështje Ekonomike, koordinim të resoreve ekonomike dhe investimeve, Fatmir Bytyqi, sot realizoi takim me ambasadoren e SHBA-së në vend, Kate Marie Byrnes, e cila u shoqërua nga drejtuesi i zyrës së USAID-it, Erik Janovski.

Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, ambasadorja Byrnes i përshëndeti zgjedhjet e zbatuara në mënyrë demokratike dhe formimin e Qeverisë ndërsa njëherësh e përgëzoi zëvendëskryeministrin Bytyqi për emërimin në funksionin e ri.

Bytyqi, ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it, që ka realizuar projekte për mbështetjen e shoqërisë tonë që nga viti 1993, me ç’rast ka shtuar se ndihma nga USAID-i është e mirëseardhur për realizimin e politikave të parapara prioritare të cilat do të thonë rritje, qëndrueshmëri dhe zhvillim më i madh ekonomik, zero tolerancë për korrupsionin, si edhe të drejta të barabarta dhe mundësi për të gjithë.

“Në bisedë për prioritetet dhe fokusin e punës në këtë mandat zëvendëskryeministri foli për Platformën për zhvillim ekonomik, në të cilën marrin pjesë të gjithë aktorët në jetën ekonomike si një prej veglave që përdoret për zgjerimin e bashkëpunimit, hapjen e dialogut dhe rritjen e besimit midis shtetit, biznesit dhe qytetarëve nga njëra anë ndërsa do të shërbejë edhe si platformë për luftë me ekonominë gri, burokracinë e panevojshme dhe korrupsionin në të gjitha nivelet në shtet. Shtesë, ai theksoi se së bashku me zëvendëskryeministrin e obliguar për Luftë me Korrupsionin dhe Krimin, Lupço Nikollovski, ka filluar krijimi i zgjidhjeve sistemore për tejkalimin e këtyre dukurive devijuese, të cilat në masë të madhe e ngatërrojnë sistemin dhe pengojnë norma më të mëdha të rritjes”, thuhet në kumtesë.

Ambasadorja Byrnes dhe përfaqësuesi i USAID-it, Janovski kanë shprehur gatishmëri për t’u mbështetur reformat kryesore të cilat do t’i zbatojë Qeveria, duke potencuar se tani, si anëtare e NATO-s, bashkëpunimi midis dy vendeve do të përforcohet shtesë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadorja Byrnes janë pajtuar me angazhimin e përbashkët dhe komunikimin e mëtejmë për të punuar me përkushtim në zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ekonomik që shkon dorë për dore me negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian, por para së gjithash për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut./telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme