Google ADS

Osmani-Dendias: Po krijojmë shembull për fqinj të mirë të cilin vendet e rajonit duhet ta ndjekin

20:07 | 16 Shtator 2020
A. B.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në Athinë realizoi takim pune me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

“Vlerësoj se po dërgojmë mesazh të mirë me takimin tim të parë si Ministër i Punëve të Jashtme këtu në Athinë, që është pasqyrë e progresit jashtëzakonisht të suksesshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë periudhës së fundit. Ballafaqimi me pandeminë COVID-19 dëshmoi se bashkëpunimi midis fqinjëve është absolutisht i domosdoshëm dhe paraqet përfitim të madh për qytetarët e të dy vendeve. Dua t’ju siguroj se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Qeverisë së re, dhe ne fuqishëm jemi të vendosur të angazhohemi në drejtim të thellimit të marrëdhënieve bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, jo vetëm duke zbatuar obligimet e marra përsipër, por edhe me forma konkrete të bashkëpunimit, të udhëhequra nga vizioni i përbashkët për një rajon stabil dhe të prosperuar, të integruar në BE”, theksoi Osmani.

Gjatë takimit, Osmani e theksoi edhe rolin e Komisioneve të ekspertëve për marrëdhënie dypalëshe, për të cilat shprehu besimin se do të sigurohen kushte për funksionim të tyre të papenguar, pa marrë parasysh sfidat e pandemisë.

Në takim u theksua se Maqedonia e Veriut gjendet përballë një faze të rëndësishme të progresit drejtë integrimit në Bashkimin Evropian, e cila deri në fund të këtij viti pritet të avancohet me mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe me fillimin zyrtar të negociatave aderuese me BE-në, për çka Dendias shprehu bindjen për përkrahje të parezervë këtij procesi./Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme