Google ADS

Pandemia COVID-19 do t’i kushtojë futbollit 14 miliardë dollarë humbje këtë vit sipas FIFA-s

19:41 | 16 Shtator 2020
A. B.

Pandemia COVID-19 do tu kushtojë klubeve të futbollit plot 14 miliardë dollarë (11.8 miliardë euro) humbje këtë vit në të gjithë botën, sipas FIFA-s.

Olli Rehn, i cili kryeson komitetin e FIFA-s të ngritur për të trajtuar efektet e pandemisë, ka thënë se FIFA, së bashku me konsulentët financiarë, kanë vlerësuar se të ardhurat e klubeve në të gjithë botën sillen nga 40 miliardë dhe 45 miliardë dollarë.

Ai tha se shifra prej 14 miliardë dollarësh bazohet në skenarin aktual, ku futbolli po ri ndizet ngadalë pas një pauze tre-mujore në fillim të këtij viti, por do të ishte ndryshe nëse pandemia nuk do të pushonte.

“Futbolli është goditur shumë rëndë nga pandemia e coronavirusit”, ka thënë Rehn, një ish komisioner i BE-së dhe tani guvernator i Bankës së Finlandës.

“Ajo ka krijuar mjaft trazira në nivele të ndryshme edhe në disa klube profesioniste që përballen me vështirësi shumë serioze. Unë jam gjithashtu shumë i shqetësuar për akademitë e të rinjve dhe klubet e divizioneve të ulëta”.

Rehn tha se futbolli në Amerikën e Jugut ishte goditur rëndë, ndërsa Afrika dhe Azia po ashtu janë shqetësim, shkruan Al Jazeera.

“Është një rrezik real që puna e mirë që është bërë duke zhvilluar futbollin në Azi dhe Afrikë mund të prishet, kështu që ne duam të zbusim goditjen dhe të mbajmë zhvillimin që është bërë në këto vende”, deklaroi ai.

FIFA ka ndarë 1.5 miliard dollarë për të ndihmuar në trajtimin e efekteve të pandemisë dhe Rehn thotë se 150 nga 211 shoqatat anëtare kanë aplikuar deri më tani për fonde.

FIFA është e vetëdijshme se nëse pandemia zgjatë edhe një vit, atëherë problemet do të jenë më të mëdha. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme