Maqedonia e Veriut dhe Kosova duhet sa më parë t’i heqin testet për koronavirus, të njohura si PCR, dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, thanë të mërkurën në Shkup zëvendëskryeministrat e dy vendeve, Artan Grubi dhe Besnik Tahiri.
“Kufijtë tanë duhet të liberalizohen dhe këtu mund të merret si shembull kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, që është i hapur dhe ka lëvizje të jashtëzakonshme mes dy vendeve, në veçanti gjatë sezonit turistik, dhe transmetimi i sëmundjes COVID-19 mes dy vendeve ka qenë minimal. Ky shembull duhet të na shërbejë edhe neve për t’i liberalizuar kufijtë jo vetëm me fqinjin tonë – Kosovën, por edhe me fqinjët tanë përreth”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, pas takimit me homologun e tij kosovar, Besnik Tahiri.
“Për neve është e palogjikshme që të kemi një sistem të testimit dypalësh, përderisa lëvizja me Shqipërinë është e hapur, lëvizja mes dy vendeve ka qenë shumë e madhe. Duhet parë të gjitha mundësitë e lehtësimit edhe me Maqedoninë e Veriut – normalisht duke ruajtur shëndetin publik, duke ruajtur njëri-tjetrin – dhe të lehtësojmë lëvizjen e qytetarëve”, tha Tahiri.
Gjatë kësaj jave u paralajmërua mbajtja e një video-konference mes ministrave të Shëndetësisë të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për miratimin e një protokolli për lehtësimin e lëvizjes mes vendeve të tyre.
Të hënën, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore u bënë thirrje qeverive të të dyja vendeve që t’i heqin pengesat në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, respektivisht testet PCR.
Sipas tyre, mbyllja e kufijve u ka shkaktuar dëme të mëdha bizneseve të dy vendeve.
“Duke marrë parasysh lidhjen dhe afërsinë tokësore të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, PCR testi negativ i obligueshëm, i vendosur për hyrje në të dyja shtetet, paraqet një pengesë shtesë, si për personat fizikë, ashtu edhe për bizneset, sepse, së pari, goditet ekonomia, e cila pëson humbje të mëdha nga ky vendim”, u tha në komunikatën e dy odave ekonomike.
Në takimin e dy zëvendëskryeministrave në Shkup u bisedua edhe për autostradën Shkup-Prishtinë, respektivisht ngecjen e punimeve në pjesën e Maqedonisë së Veriut.
“Segmenti Shkup-Bllacë për neve është shumë i rëndësishëm. Ne e kemi kryer rrugën tonë, në pjesën tonë. Mendoj se ky segment do t’i lidhë edhe më fuqishëm dy vendet tona, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke e forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe lëvizjen e njerëzve”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri./rel/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...