Google ADS

Asociacioni i komunave me shumicë serbe: Çfarë është e (pa)mundur në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës?

09:11 | 16 Shtator 2020
Arbresh.info

Asociacioni i komunave me shumicë serbe: Çfarë është e (pa)mundur në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës?

Edhepse marrëveshja për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe (tutje: Asociacioni) lë shumë hapësirë për interpretime të ndryshme, diskutimet mbi kompetencat dhe strukturën e Asociacionit kanë lënë anash ato pak referenca tek kuadrot ligjore që përmenden në Marrëveshjen e Brukselit të 19 prillit të vitit 2013 (tutje: Marrëveshja e Parë). Nenet 3 dhe 4 të Marrëveshjes se Parë në mënyrë të drejtpërdrejtë i referohen kornizës ligjore në kuadër të së cilës Asociacioni duhet të themelohet: “struktura e Asociacionit do të themelohet mbi të njëjtën bazë si statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës”; “komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin e kompetencave të tyre në pajtim me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjit të Kosovës”.

Në këtë analizë, shqyrtohet korniza ligjore për bashkëpunim ndërkomunal së cilës i referohet Marrëveshja e Pare. Në veçanti, shqyrtohet në mënyrë të detajuar dispozitat ligjore të ndërlidhura me bashkpunimin/partneritetet ndërkomunale dhe me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me Republikën e Serbisë, gjithnjë duke prezantuar maksimumet ligjore për strukturën dhe detyrat e Asociacionit në kuadër të legjislacionit të Kosovës.

1. Parimet themelore të bashkëpunimit ndërkomunal
Komunat kanë të drejtë kushtetuese për bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar(Kushtetuta , Neni 124.4).Bashkëpunimi kombëtar dhe ndërkombëtar ndërmjet komunave është i rregulluar me Ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, i cili zgjeron Kapitullin V të Ligjit për vetëqeverisje lokale. Bashkëpunimi ndërkombëtar gjithashtu parashihej me Propozimin Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës (Plani i Ahtisaarit) dhe garantohet me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. Parimet bazë të bashkëpunimit ndërkomunal janë që komunat kanë të drejtë të bashkëpunojnë dhe të krijojnë partneritete me komuna tjera të Kosovës, brenda fushës së tyre të kompetencave, për të realizuar funksione që janë në interes të përbashkët të tyre, si dhe të përmbushin qëllime dhe interesa të përbashkëta në fushën e shërbimeve publike komunale dhe të zhvillimit lokal.

Megjithatë, hierarkia midis komunave dhe trupit eventual ndërkomunal është e qartë. Siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, komunat janë njësi bazë të vetëqeverisjes lokale. Ato kanë të drejtë të themelojnë forma të bashkëpunimit ndërkomunal, por ato mbajnë të gjithë përgjegjësinë ligjore për aktet dhe veprimet që rezultojnë nga një bashkëpunim i tillë, dhe ligjshmëria e veprimeve të tyre në fushat e tyre të përgjegjësisë do të shqyrtohet nga autoritetet qendrore. Në të njëjtën frymë, Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, Neni. (4), përcakton se “fuqitë e dhëna autoriteteve lokale normalisht do të jenë të plota dhe ekskluzive. Ato nuk mund të cenohen apo të kufizohen nga një autoritet tjetër, qendror apo regjional, përveç siç përcaktohet me ligj.” Kjo nënkupton se komunat nuk mund të transferojnë kompetencat ekzekutive të ndonjë autoritet super-komunal, dhe se përgjegjësia përfundimtare për vendimmarrje mbetet me organet komunale.

Nga ana tjetër, autoriteti qendror bën shqyrtimin e pajtueshmërisë ligjore të të gjitha vendimeve apo veprimeve të komunave me Kushtetutën dhe kornizën ligjore (Kushtetuta, Neni. 124.7). Kjo vlen jo vetëm për vendimet e marra nga komunat, po edhe për vendimet komunale për aktivitetet e partneriteteve komunale. Me fjalë të tjera, nëse Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal vlerëson se një vendim apo akt i ndërmarrë nga një komunë është në kundërshtim me Kushtetutën apo ligjet, ajo mund të kërkojë nga komuna që ta rishqyrtojë vendimin e marrë, duke deklaruar edhe arsyet për shkeljen e supozuar. Parimi këtu është që autoritetet qendrore nuk do ta shqyrtojnë punën e Asociacionit drejtpërdrejt, por nëpërmjet komunave pjesëmarrëse, duke qenë se komunat janë ligjërisht përgjegjëse për të gjitha aktet dhe veprimet e ndërmarra në kuadër të bashkëpunimit komunal kombëtar apo ndërkombëtar.

2. Themelimi i bashkëpunimit ndërkomunal
Procedura për themelimin e bashkëpunimit ndërkomunal fillon ose me iniciativë të ndërmarrë nga kryetari i komunës; 1/3 e këshilltarëve komunalë; së paku 5% të qytetarëve të komunës me të drejtë vote; apo, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, (Ligji për bashkëpunimin ndërkomunal në tekstin e mëtejmë LBN, Nenet. 6.2, 6.3). Në teori, pra, për themelimin e Asociacionit nuk është i nevojshëm ndonjë vendim i veçantë nga Qeveria e Kosovës: mund të iniciohet dhe zhvillohet nga komunat pjesëmarrëse, pas përcjelljes së procesit të përshkruar si më lartë. Iniciativa e kohëve të fundit për organizimin e takimeve të rregullta mes dhjetë kryetarëve serb të komunave dhe Qeverisë së Serbisë si një mjet për të shkuar përpara dhe “krijuar ngjarjet në terren dhe të mendohet për zyrtarizimin e tyre në një fazë të mëvonshme” mund të përdorë këtë hapësirë ligjore. Në takimin e parë të tillë të mbajtur më 18 mars 2015 në Graçanicë, përfaqësuesit politikë serbë prezantuan dhjetë kërkesa kyçe dhe pikë fokusi, duke përfshirë “veprim unitar politik, mbrojtja e të drejtave, dhe realizimi i interesave të popullit serb nëpërmjet formimit të një Asociacioni të fuqishëm të Komunave Serbe”, dhe se në një takim të ardhshëm drafti final i Statutit të Asociacionit do të shqyrtohej. Megjithatë, nuk ka gjasa të mëdha që një iniciativë e tillë e njëanshme për themelimin e Asociacionit mund të sjellë ndonjë rezultat ligjor, përveç që bën presion në Qeverinë e Kosovës dhe në BE-në. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe përfshirjes së saj në negociatat mes qeverive të Kosovës dhe Serbisë, do të ishte e dëmshme nëse procesi për themelimin e Asociacionit do të iniciohej pa miratimin formal të Qeverisë së Kosovës.

Në çdo rast, ashtu siç thuhet qartë në LBN, iniciativa për bashkëpunim ndërkomunal duhet të mbështetet me të dhëna për qëllimin e bashkëpunimit, kompetencat që janë relevante për të, komunat e përfshira në këtë bashkëpunim, forma e bashkëpunimit, përfitimet e pritura, implikimet potenciale financiare që dalin nga ky bashkëpunim, si dhe çështje tjera të rëndësishme për themelimin e bashkëpunimit ndërkomunal, (LBN, Neni. 6.4).

Duke u bazuar në këto detaje, kuvendet komunale përkatëse pastaj shqyrtojnë iniciativën për bashkëpunim ndërkomunal dhe marrin një vendim me shumicë votash në një seancë të hapur brenda 90 ditëve nga dita e paraqitjes së iniciativës. Në rast se Kuvendi Komunal miraton iniciativën, ai autorizon kryetarin e komunës që të përfaqësojë komunën gjatë procesit negociues për marrëveshjen përfundimtare për bashkëpunim ndërkomunal, (LBN, Neni. 6).

Kryetarët e komunave pjesëmarrëse pastaj do të negociojnë një marrëveshje formale për bashkëpunim ndërkomunal që përmban elementet si në vijim:

-Palët kontraktuese;
-Subjektin e kontratës, fushëveprimin dhe kohëzgjatjen;
-Të drejtat dhe obligimet e të gjitha palëve pjesëmarrëse në marrëveshje;
-Forma ligjore e bashkëpunimit dhe burimi i financimit dhe buxhetit;
-Kushtet për tërheqjen nga kontrata dhe për përfundimin e marrëveshjes;
-Procedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.
Marrëveshja duhet të nënshkruhet nga kryetarët e të gjitha komunave pjesëmarrëse dhe të miratohet nga kuvendet komunale përkatëse. Marrëveshja hyn në fuqi pas vlerësimit të ligjshmërisë së saj nga ana e Ministrisë së administrimit të pushtetit lokal, (LBN, Nenet 4-8).

Nga kjo që u tha më lartë, është e qartë se bashkëpunimi ndërkomunal nuk mund të vijë nga lartë-poshtë, p.sh me një vendim të qeverisë, apo edhe të Kuvendit të Kosovës. Bashkëpunimi ndërkomunal duhet të vijë nga poshtë-lartë, domethënë komunat duhet të iniciojnë një bashkëpunim të këtillë. E tëra çka niveli qendror mund të bëjë në këtë rast është që të krijojë kushte për një bashkëpunim të tillë, ashtu siç ka krijuar Republika e Kosovës me anë të ligjit në fuqi, posaçërisht me anë të Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal. Rrjedhimisht, as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk mund të i jep “kompetenca” Asociacionit, asociacioni merr detyra nga komunat, edhe atë vetëm sferën e “ushtrimin e përbashkët të detyrave”. Përgjegjësitë dhe kompetencat ligjore mbeten tek komunat, jo tek asociacioni.

3. Funksionimi dhe kompetencat e bashkëpunimit ndërkomunal: Asociacion apo/dhe Partneritet?
Një burim kryesor i keqkuptimeve në lidhje me Asociacionin buron nga paqartësia nëse Asociacioni do të ketë formën e bashkëpunimit ndërkomunal apo atë të asociacionit të komunave. Të dyja format janë të drejta të parapara sipas Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, Planit të Ahtisaarit, si dhe Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe Ligjit për bashkëpunim nderkomunal. Marrëveshja e Parë i referohet “Asociacionit/Bashkësisë” dhe “Bashkësisë/Asociacionit”, dhe ne nenet e saj i referohen edhe asociacionit edhe bashkëpunimit apo partneriteteve ndërkomunale. Në vijim do të shohim dallimet në mes tyre.

Çka janë Partneritetet komunale?

Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale i jep të drejtën autoriteteve lokale që të bashkëpunojnë dhe, në kuadër të kornizës ligjore, të formojnë konsorciume me autoritete tjera lokale në ushtrimin e kompetencave të tyre për kryerjen e detyrave me interes të përbashkët, (KEVL, Neni 10.1). Ligji për vetëqeverisjen lokale (në tekstin e mëtejmë LVL) parasheh që komunat mund të ushtrojnë përgjegjësi komunale në fushat e kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjeruara përmes partneriteteve komunale, (LVL, Neni 29.1).

Përjashtim bëhet për vendimet e mëposhtme, të cilat bien nën autoritetin e kuvendeve komunale dhe nuk mund të merren përsipër nga partneritetet ndërkomunale:

-Statutet apo rregulloret e punës dhe rregulloret komunale;
-Miratimi i buxhetit dhe planeve të investimit;
-Planin vjetor të punës dhe raportin vjetor;
-Themelimi i komiteteve siç kërkohet me Ligjin për vetëqeverisje lokale;
-Zgjedhja e Kryesuesit dhe Zv. Kryesuesit të Kuvendit Komunal;
-Niveli i tarifave dhe ngarkesave;
-Krijimi dhe përdorimi i simboleve komunale, dekorimeve, dhe titujve të nderit;
-Emërtimi dhe riemërtimi i rrugëve, rrugicave, dhe vendeve tjera publike;
-Bërja e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda-komunale,
-Anëtarësimi në asociacione përfaqësuese të komunave, (LVL, Nenet 29.1, 40 dhe LBN, Neni 4.2).
Partneritetet ndërkomunale mund të ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme për zbatimin dhe ushtrimin e bashkëpunimit funksional nëpërmjet:

-Themelimit të një organi vendimmarrës të përbërë nga përfaqësues të caktuar nga kuvendet komunale të komunave pjesëmarrëse;
-Angazhimit dhe shkarkimit të personelit administrativ dhe atij këshillëdhënës;
-Vendimeve për financim dhe nevoja tjera operative të partneritetit, (LVL, Neni 29.3).
Kjo dispozitë duket se nënkupton që partneritetet komunale mund të krijojnë organe vendimmarrëse që marrin vendime në fushën e veprimeve të dakorduara nga komunat pjesëmarrëse, dukë përfshirë financimin e partneriteteve (edhepse buxhetet dhe planet vjetore të punës janë vendime të cilat komunat nuk mund të ia delegojnë organeve tjera).

Llojet e bashkëpunimit ndër-komunal (partneriteteve)

Republika e Kosovës i ka dedikuar një ligj të tërë çështjes së partneriteteve komunale. Ligji për bashkëpunim ndërkomunal (me tutje LBN) elaboron mbi strukturat e përbashkëta nëpërmjet të cilave mund të realizohet bashkëpunimi apo partneritetet ndërkomunal:

a)Trupat e përbashkët punues dhe komisionet për shqyrtimin e çështjeve të caktuara të përcaktuara nën kompetencat e komunës, (LBN, Neni 10);

b)Trupat e përbashkët administrativë për kryerjen e kompetencave të caktuara komunale dhe kryerjen e punëve profesionale dhe administrative brenda kompetencave të përcaktuara me marrëveshje. Komunat pjesëmarrëse caktojnë nëpunësit civilë për të punuar në trupin e përbashkët administrativ. Megjithatë, këto trupa nuk janë persona juridikë dhe përgjegjësitë përfundimtare i mbeten komunave, (LBN, Neni 11). Me fjalë të tjera, Asociacioni nuk mund të themelojë departamente që do të zëvendësojnë autoritetin e kuvendeve komunale/drejtorive komunale;

c) Ndërmarrjet e përbashkëta publike për kryerjen e shërbimeve publike në nivelin lokal, në përputhje me kushtet dhe procedurat e vendosura me Ligjin për ndërmarrjet lokale. (LBN, Neni 12);

d) Institucionet e përbashkëta publike për kryerjen e aktiviteteve të caktuara të interesit publik dhe me rëndësi në fushat e arsimit, shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes sociale, dhe fusha të tjera. Kryetarët e të gjitha komunave pjesëmarrëse nënshkruajnë marrëveshje që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet reciproke në lidhje me institucionet publike. Vendimi për krijimin e një institucioni të tillë publik duhet të miratohet me shumicën e votave në kuvendet komunale, bazuar në verifikimin e burimeve të siguruara nga themeluesit, burimet e përhershme të financimit, të drejtat dhe detyrimet e themeluesit, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella të institucionit dhe të themeluesve, kohëzgjatja e veprimeve, dhe në strukturën e organizimit dhe të menaxhimit të organizatës, (LBN, Neni 13);

e) Partneritete të përbashkëta publiko-private për kryerjen e shërbimeve publike në nivelin lokal dhe sigurimin e infrastrukturës publike, në përputhje me legjislacionin për partneritete publike-private, (LBN, Neni 9);

f) Së fundi, një komunë mund t’i japë mandat, në bazë të marrëveshjes, një komune tjetër për të ushtruar kompetenca të caktuara, ndërsa mbetet përgjegjëse për të gjitha veprimet dhe aktet e ndërmarra nga komuna e mandatuar (LBN, Neni 14);

Në këtë mënyrë, LBN ofron mundësi të shumta për ushtrimin e përbashkët të kompetencave nga ana e komunave në fushën e shërbimeve publike në nivel komunal. Edhe pse LBN nuk i referohet nominalisht “partneritetin” ndërkomunal, por flet për “bashkëpunimin” ndërkomunal, që duket të jetë më shumë çështje e semantikes se sa e ndonjë dallimi substancial. Gjithashtu LBN nuk bënë dallimin midis ‘partneritetit/bashkëpunimit’ dhe ‘asociacionit’, edhe pse kjo nuk duhet të jetë ndonjë problem i veçantë pasi që LVL fletë për të dyja këto mundësi të bashkëpunimit.

LBN nuk shtjellon më tepër mbi “organin vendimmarrës”, që është përmendur si një mënyrë e realizimit të partneriteteve komunale në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe Planin e Ahtisaarit, por siç e pamë më lart, LBN flet për “trupa të përbashkëta administrative” që duket në shikim të parë si nivel më i ulët i bashkëpunimit apo partneritetit ndërkomunal. Për sa i përket “organi-it vendimmarrës”të referuar në Planin e Ahtisarit dhe LVL , këtu fjala ka të beje me strukturën apo mënyrën e organizimit të punës në kuadër të këtyre partneriteteve komunale, e jo për një trupë vendimarrëse mbi kuvendet komunale (apo supra komunale).Duke marrë parasysh faktin se ky është pikërisht roli dhe kompetenca që pala serbe parashikon për Asociacionin, paqartësitë juridike mund të kërkojnë sqarime dhe përshtatje nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Megjithatë, në frymën e Kushtetutës dhe legjislacionit mbi vetëqeverisjen lokale të Kosovës dhe me Kartën evropiane të vetëqeverisjes lokale, komuna mbetet njësia kryesore e vetëqeverisjes lokale dhe mban të gjitha përgjegjësitë ligjore për aktet, veprimet dhe vendimet eventuale të marra nga Asociacioni.

Asociacioni komunal
Nga ana tjetër, Komunat gjithashtu kanë të drejtë të formojnë një asociacion për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre të përbashkëta. Asociacione të tilla mund të i ofrojnë anëtarëve të tyre – komunave individuale – një numër shërbimesh, duke përfshirë trajnimet, ndërtimin e kapaciteteve, asistencë teknike, si dhe hulumtime në lidhje me kompetencat komunale dhe rekomandime të politikave, (LVL, Nenet 31–32; Propozimi Gjithëpërfshirës për Kosovën, Aneksi III, Neni 9.2. dhe KEVL, Neni 10.2).

Në pajtim me këto dispozita, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është një organizatë jo-fitimprurëse si dhe person juridikë që përfaqëson interesat e autoriteteve lokale. Objektiva e AKK-së janë nxitja e zbatimit të rregulloreve që burojnë nga Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, dhe të organizojë dhe koordinojë aktivitetet e komunave në fushën e investimeve, zhvillimit ekonomik, përmirësimit të bazës ligjore, mbështetje biznesore, kulturë, arsim, shkencë, shëndetësi, mirëqenie dhe shërbime sociale, menaxhim të konflikteve, dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë, (Statuti i AAK-së, Neni 2).

Konkretisht, AKK:

-Inicion, organizon dhe promovon bashkëpunimin mes autoriteteve lokale;
-Propozon zgjidhje për problemet e përgjithshme me të cilat ballafaqohen autoritetet lokale në Kosovë;
-Jep mendime dhe sugjerime mbi propozimet për ligje dhe aktenënligjore që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale
-Ofron mbështetje ligjore dhe organizative për komunat;
-Përfaqëson interesat e përgjithshme të autoriteteve lokale brenda organizatave te Kosovës dhe atyre ndërkombëtare;
-Organizon dhe bashkërendon trajnime profesionale për autoritetet politike komunale dhe për nëpunësit civilë;
-Harton dhe shpërndan informata dhe publikime për anëtarët e saj;
-Krijon fonde, hap trupa përfaqësimi dhe institucione publike, (Statuti i AKK-së, Neni 3).
Me përjashtim të pikës së fundit, AKK ka një rol të qartë mbështetës, avokues, dhe lehtësues që korrespondon me shumë me një asociacion komunal se sa me një partneritet komunal.

Marrëveshja e Parë si e tillë flet edhe për një asociacion, sidomos nenet 3, por i referohet edhe strukturave të partneritetit ndërkomunal, sidomos ne nenin 4. Për këtë arsye kuptimi që disa politikanë dhe opinion bërës tentojnë t’i japin Asociacionit vetëm si një OJQ nuk merr parasysh mundësinë që Asociacioni mund të përmban në vetvete edhe strukturat e bashkëpunimit apo partneriteteve ndërkomunale, sipas kornizës ligjore në Kosovë.

Një reduktim i tillë nuk është i saktë. Reduktimi i rolit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në një rol thjesht këshillues dhe mbështetës të ngjashëm me atë të Asociacionit të komunave të Kosovës përveç që nuk përputhet me pritjet e komunitetit serb të Kosovës, nuk shter mundësitë ligjore për bashkëpunim ndërkomunal, dhe, për më tepër, duket i tepërt krahas asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës. Referenca në strukturën e AKK-së si bazë për strukturën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Marrëveshjen e Parë (Neni 4) i referohet më tepër strukturës organizative të AKK-së sesa kompetencave të tij, për shkak se Marrëveshja i referohet strukturave të AKK-së (Presidentit, Kuvendit, dhe Këshillit).Në këtë linjë arsyetimi, termi asociacion, që ka qenë i kodifikuar në gjuhën angleze për të paraqitur Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, është i papërshtatshëm, meqë duket se kufizon rolin e Asociacionit vetëm me rolin mbështetës, avokues, dhe lehtësues të asociacioneve komunale të përmendura në Ligjin për vetëqeverisje lokale dhe shkakton konfuzion me Asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës. Ekuivalenti serb për ‘bashkësi’ (‘zajednica’) është tashmë në përdorim të zakonshëm në vend të ekuivalentit për ‘asociacion’ (‘asocijacija’). Në gjuhën shqipe, ekuivalenti në përdorim të zakonshëm për ‘shoqata’ është ‘asociacioni”, ndërsa ekuivalenti për ‘komuniteti’ është ‘bashkësia’. Grupi i krizave ndërkombëtare dhe Grupi për hulumtimin e politikave të Ballkanit preferojnë të përdorin termin “komuniteti” në vend të “shoqata” apo “asociacioni”, për arsye të efikasitetit dhe për shmangur konfuzionin me asociacionin ekzistues të komunave të Kosovës. Në fakt asnjeri nga termet e lartpërmendura nuk është adekuatë kur flitet për atë çka Marrëveshja e Parë parasheh.

4. Struktura organizative e Asociacionit
Siç u argumentua më lart, referenca për Asociacionin e Komunave të Kosovës në Marrëveshjen e Parë i referohet strukturës organizative të AKK-së, dhe jo detyrimisht kompetencave apo aktiviteteve të tij, edhe pse është e qartë se Asociacioni do te këtë edhe kompetenca tipike te asociacioneve ndërkomunale, sidomos kur flitet për anëtarësim në Këshillin Konsultative te Komuniteteve (Marrëveshja e Pare, neni 5). Për sa i përket AKK-së, ajo përbëhet nga tri organe organizative.

Kuvendi– Organi më i lartë vendimmarrës i AKK-së është Kuvendi, dhe përbëhet nga përfaqësues të kuvendeve komunale pjesëmarrëse. Kuvendet komunale delegojnë një përfaqësues për çdo dhjetë anëtarë të kuvendit në kuvendin e AKK-së, në proporcion me votat që secila parti ka fituar në zgjedhjet komunale. Kuvendi mblidhet të paktën një herë në vit dhe i merr vendimet për statutin, procedurat dhe rregulloret e punës, planet e punës vjetore dhe buxhetin, dhe për strategjinë e AKK-së. Për më tepër, Kuvendi zgjedh një Kryetar dhe një Zëvendës Kryetar të Asociacionit, dhe miraton simbolet e Asociacionit. Vendimet merren me shumicë të thjeshtë, ndërsa ndryshimet në statut kërkojnë miratimin e 2/3 – (dy-të-tretave) të anëtarëve të Kuvendit, (Statuti i AAK-së, Neni 4).

Këshilli i Kryetarëve të komunave – administron AKK-në dhe mblidhet çdo tre-muaj. Këshilli përbëhet nga kryetarët e të gjitha komunave dhe anëtarët e Bordit (shih më poshtë). Me rekomandim të Bordit, Këshilli analizon dhe formulon vendime për aktet dhe projekt-vendimet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale, si dhe çështjet e propozuara nga Bordi dhe nga anëtarët e Këshillit, (Statuti i AAK-së, Neni 4(15-17)).

Bordi i Asociacionit – përbëhet nga shtatë anëtarë të zgjedhur të Kuvendit të AKK-së: kryetari, nënkryetari, dhe pesë (5) anëtarë të Kuvendit. Tre (3) anëtarë të bordit (duke përfshirë edhe kryetarin) përfaqësojnë partinë që ka fituar në shumicën e komunave në zgjedhjet e fundit lokale, dy (2) anëtarë (duke përfshirë nënkryetarin) përfaqësojnë partinë e dytë, një anëtar nga partia e tretë në zgjedhjet e fundit lokale, dhe një anëtar nga radhët e partive të komunitetit serb. Bordi mblidhet një herë në muaj dhe diskuton problemet e ngritura nga Kuvendi ose Këshilli, dhe nxjerr vendime dhe bën propozime për përmirësimin e vetëqeverisjes lokale. Përveç kësaj, Bordi konfirmon marrëveshjet e arritura nga Asociacioni, definon dhe përcakton detyrat dhe strukturat administrative, monitoron aktivitetet financiare të Asociacionit, dhe shqyrton planet e aktiviteteve dhe raportet administrative, (Statuti i AKK-së, Neni 4 (18–21)).

Administrimi i përditshëm dhe menaxhimi bëhen nga Kryetari i AKK-së dhe organet e tij administrative. Kryetari i AKK-së nënshkruan marrëveshje me autorizim të Bordit, organizon punën e organeve drejtuese të Asociacionit, dhe përfaqëson Asociacionin, (Statuti i AKK-së, Neni 4 (22–23)). Aktivitete administrative të Asociacionit organizohen nga administrata e AKK-së dhe organet e saj drejtuese, nën udhëheqjen e Drejtorit të Administratës. Administrata punon në bazë të ligjeve dhe rregulloreve të miratuara nga Kuvendi, Këshilli dhe Bordi, (Statuti i AKK-së, Neni 4).

Kjo strukturë organizative dhe ndarja e detyrave mundet lehtësisht të aplikohet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Megjithatë, kompetencat e secilit prej trupave do të duhet të ripërcaktohen në përputhje me kompetencat që Asociacioni do të ketë në bazë të marrëveshjes së partneritetit ndërmjet komunave, që do të jetë më shumë në përputhje me ato të një partneriteti komunal sesa të AKK-së.

5. Lidhjet me Republikën e Serbisë
Asociacioni është parë nga përfaqësuesit politikë serbë dhe nga shumë pjesëtarë të komunitetit serb, si një mjet për të forcuar dhe mbështetur lidhjet në mes të popullatës serbe të Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pa (shumë) ndërhyrje nga Prishtina. Asociacioni në të vërtetë do të mund të jetë një mekanizëm i dobishëm për përkrahje të qëndrueshme dhe transparente për komunitetin serb të Kosovës nga ana e Republikës së Serbisë. Kjo është krejtësisht në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, e cila ofron mundësi për bashkëpunim dhe mbështetje të Republikës së Serbisë, me kusht që të mos anashkalohen autoritetet qendrore të Republikës së Kosovës dhe që roli i Republikës së Serbisë të mbetet i kufizuar në ndihmë financiare dhe teknike në zbatimin e kompetencave komunale.

Në të vërtetë, Ligji për vetëqeverisje lokale u mundëson komunave të bashkëpunojnë, brenda fushave të kompetencave të tyre, me komunat dhe institucionet, përfshirë agjencitë qeveritare, në Republikën e Serbisë. Një bashkëpunim i tillë mund të marrë formën e ofrimit të asistencës financiare dhe teknike, përfshirë personelin dhe pajisjet e specializuara, në zbatimin e kompetencave, (LVL, Neni 30.2).

Më tej, partneritetet komunale kanë të drejtë për marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet në Republikën e Serbisë, por vetëm në masën e nevojshme për zbatimin praktik të aktiviteteve të partneritetit, (LVL, Neni 30.7).Megjithatë, komunat paraprakisht do të njoftojnë Ministrinë e administrimit të pushtetit lokal për çfarëdo qëllimi për t’u angazhuar në bashkëpunim ndërkufitar, duke përfshirë një marrëveshje bashkëpunimi që do të ofronte informacion për objektivat e bashkëpunimit, praktikat dhe modalitetet për ofrimin e personelit dhe pajisjeve, nivelin e financimit, dhe mekanizmat e financimit. Nëse Ministria konsideron marrëveshjen në shkelje të ligjit, ajo mund të propozojë amendamente apo të suspendojë bashkëpunimin e synuar (LVL, Neni 30)

Ligji për bashkëpunim ndërkomunal më tej përcakton që brenda bashkëpunimit ndërkombëtar komunal “komunat nuk mund të tërhiqen nga kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj, për t’i deleguar një komune ose një autoriteti të huaj publik kryerjen e kompetencave vetanake dhe për të lejuar një komunë ose autoritet publik të huaj të ushtrojë ndonjë fuqi ekzekutive, administrative, apo legjislative në territorin e Republikës së Kosovës”, (LVL, Neni 18.3). Në parim, kjo nënkupton që përveç mbështetjes financiare, e cila nuk është e trajtuar në këtë analizë, Asociacioni mund të kërkojë mbështetje teknike dhe ndihmë nga Republika e Serbisë në zbatimin e aktiviteteve praktike. Megjithatë, Republika e Serbisë nuk mund të ushtrojë asnjë pushtet ekzekutiv, administrativ apo legjislativ nëpërmjet Asociacionit.

6. Përfundim
E drejta e bashkëpunimit ndërkomunal është e rrënjosur fort në legjislacionin e Kosovës dhe në Kartën evropiane mbi vetëqeverisjen lokale. Kuadri ligjor u mundëson komunave të krijojnë partneritete komunale në iniciativë të tyre me qëllim të zbatimit dhe të ushtrimit të bashkëpunimit funksional të kompetencave komunale me interes të përbashkët. Partneritete të tilla komunale mund të marrin forma të ndryshme, nga një organ vendimmarrës, i përbërë nga përfaqësues të kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse, deri në trupa të përbashkëta administrative, institucione publike, dhe ndërmarrje publike. Për më tepër, këto partneritete kanë të drejtë të vendosin marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet e Republikës së Serbisë për zbatimin e aktiviteteve praktike të partneritetit. Ligji gjithashtu parashikon asociacione komunale me një rol përfaqësues dhe avokues kundrejt nivelit qendrore.

Marrëveshja e Parë dhe nenet që flasin për Asociacionin bashkojnë rolin e kufizuar përfaqësues dhe avokues të një asociacioni të komunave, me kornizën për struktura të partneritetit/bashkpunimit ndërkomunal për ushtrimin e përbashkët të kompetencave. Për më tepër, edhe pse nuk ka asnjë referencë të drejtpërdrejtë në Marrëveshje, Asociacioni mund të jetë një mekanizëm i koordinimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet komunave dhe Republikës së Serbisë. Të tri këto mundësi të detyrave për këtë trupë ndërkomunale duhet të ndërtohen sipas ligjit të Kosovës, që i parasheh të tri këto mundësi.

Megjithatë, komunat mbesin njësi themelore të qeverisjes lokale. Komunat janë persona juridikë dhe janë ligjërisht përgjegjëse për kompetencat që ato kanë. Çdo devijim nga Kushtetuta dhe ligjet ne fuqi, do të kërkonte ndryshimin e gjithë kornizës kushtetuese dhe ligjore e Kosovës, asnjë organ supra-komunal nuk mund të gëzojë kompetenca ligjore që aktualisht janë brenda kompetencave të komunës, për këtë arsye as Kuvendi as Qeveria nuk mund të delegojnë kompetenca të mundshme Asociacionit. Asociacioni, apo Bashkësia, do të duhet të merrte detyra vetëm nga komunat, sipas procedurave te përcaktuara në ligjin në fuqi. Edhe kur të bëhet kjo, komunat vazhdojnë të mbesin përgjegjëse për të gjitha kompetencat që ato i ushtrojnë në mënyre demokratike. Për me tepër, opsioni i marrjes së kompetencave nga kuvendet komunale, që janë organe të zgjedhura nga vota e lirë, dhe vendosja e tyre te një strukture supra-komunale, do të ishte edhe jo ligjore edhe jo demokratike, pasi që një strukture e tillë supra-komunale do të vuante nga një deficit demokratik, duke qenë organ jo i zgjedhur. Mu për ketë, kuadri ligjor i Republikës së Kosovës, siç u pa edhe më lart, është i gjerë dhe kompleks sa i përket kësaj, dhe ashtu siç parashihet në Marrëveshjen e Parë, ai duhet të përmbahet në punën e mëtutjeshëm në themelimit të Asociacionit./Arbresh.info/

Autori është Drejtor ekzekutive i Qendrës evropiane për çështje të komuniteteve në Kosovë dhe ky shkrim është bazuar në hulumtimet që kjo organizatë ka bërë në këtë fushë.

Ky është vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese 

Të ngjashme