Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, sot ka pritur në takim policët e plagosur në krye të detyrës, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj, të kthyer nga trajtimi mjekësor jashtë vendit.
Me këtë rast, kryeministri Hoti tha: “Sot po takojmë dy policët që janë lënduar, kanë pësuar në krye të detyrës dhe përmes këtij takimi të dy policëve, takojmë simbolikisht të gjithë ata policë që janë lënduar në krye të detyrës, si shenjë respekti që shteti i Kosovës ka për ata që janë duke kryer detyrën shtetërore për sigurinë e qytetarëve, për sigurinë publike, që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre”.
“Sot, i kemi takuar për t’ju treguar që do t’ju qëndrojmë gjithmonë afër, me mundësitë që i ka shteti i Kosovës. Biseduam edhe me ministrin që do të kujdesemi që në mënyrë institucionale t’i rregullojmë njëherë e përgjithmonë këto çështje përmes Ligjit për sigurimin e jetës dhe shëndetit të policëve dhe Ligjit për pensionim të parakohshëm, në mënyrë që policët që lëndohen, që bien në krye të detyrës, familjet e tyre, të mos ndihen të ngarkuara, por atë barrë ta marrë shteti”, theksoi kryeministri Hoti.
“Këta janë heronjtë e kohës moderne, sepse çdo ditë që dalin në rrugë e rrezikojnë jetën e tyre duke tentuar ta ruajnë jetën e zyrtarit shtetëror, sigurinë e institucioneve ose sigurinë e qytetarëve në përgjithësi”, vijoi kryeministri Hoti.
Më tej, kryeministri Hoti, teksa vlerësoi punën e zyrtarëve policorë, tha se çdo ditë që dalin në mëngjes, ata përshëndeten me familjen duke mos ditur se si do të kthehen në mbrëmje dhe kjo tregon një përkushtim të lartë që kanë këta zyrtarë shtetërorë në punën e tyre të përditshme.
“Unë i falënderoj të gjithë ata policë që janë të përkushtuar në detyrën e tyre dhe përmes këtij takimi kisha përçuar mesazhin që do të jemi afër tyre dhe në mbështetje të tyre si Qeveri e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Hoti.
Gjatë takimit, kryeministri Hoti për policët e lënduar ndau mirënjohje, në shenjë respekti për punën dhe përkushtimin e tyre gjatë kryerjes së detyrës zyrtare për ruajtjen e rendit publik./arbresh.info
Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë – arrestohen katë...
Tre persona vdesin në një aksident pasi GPS-i ia huqi rrugës
Vdes personi i cili ishte duke u trajtuar jashtë vendit pas ...
Murati: Afati për përditësimin e aplikimeve për subvencionim...
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...