Conte thirrje BE-së: Përshpejtoni integrimin e Ballkanit

01:11 | 15 Shtator 2020
Trina Galanxhi

Kryeministri italian Xhuzepe Konte paralajmëron se vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i kthejnë shpinën Bashkimit Europian, nëse procesi i integrimit të tyre në union nuk ecën përpara.

“Besoj se ky proces i integrimit europian duhet të përmbushet, pasi nëse dështojmë tek ky synim do të rrezikonim t’i shihnim këto vende të hedhin vështrimin e tyre nga Europa drejt aleatëve të vjetër siç është Federata Ruse, një lojtar historik në këtë hapësirë, por edhe drejt Turqisë ose aktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë të interesuar për të forcuar praninë e tyre në gadishullin ballkanik, mes tyre edhe Kina dhe vendet e Gjirit”.

Konte i bëri thirrje vendeve të Bashkimit Europian të përshpejtojnë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij në këtë pikë është në lojë besueshmëria e politikës së jashtme europiane, por edhe aftësia për të zgjidhur çështje komplekse, të cilat kërkojnë mbështetje unanime. Për kryeministrin italian duhet të ndërhyjmë për t’i bërë më efektive dhe më të thjeshta marrjen e vendimeve të përbashkëta.

Deklaratat, shefi i qeverisë italiane e bëri gjatë fjalës së tij në konferencën e titulluar “45 vite nga Marrëveshjet e Helsinkit, Kardinali Silvestrini dhe Ostpolitika e Vatikanit”, ku foli për rolin që ka pasur Vatikani në rënien e ish-Bashkimit Sovjetik dhe afrimit të vendeve të Lindjes së Europës me unionin./tvklan

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme