Google ADS

Kosova së shpejti përdor plazmën e gjakut të shëruarve me koronavirus

08:35 | 13 Shtator 2020
Arbresh.info

Ka disa muaj që kur Kosova po e diskuton çështjen e trajtimit të personave të infektuar me Covid-19, me plazmën e gjakut të personave të shëruar nga ky virus, mirëpo që ende nuk është ndërmarrë asgjë.

Ata persona që shërohen nga COVID-19 krijojnë antitrupa në gjakun e tyre kundër virusit. Këta antitrupa gjenden në plazmën e gjakut, dhe sipas ekspertëve mund të përdoret te një person i infektuar, shkruan arbresh.info.

Infektologu, Sali Ahmeti, për arbresh.info tha se për këtë është duke punuar një grup së bashku me Transfuzionin e Gjakut që sa më shpejt të bëhen përgatitjet dhe aplikimi i saj.

“Është krijuar ana legjislative e përdorimit të dhënies së plazmës, është një grup i cili është duke punuar së bashku me transfuzionin e gjakut në mënyrë që më i bë tani edhe përgatitjet teknike për fillimin e aplikimit të saj”, tha Ahmeti.

Dhënia e kësaj plazme sipas infektologut Ahmeti ndihmon dhe ka efekte të mira, mirëpo nuk është absolute.

“Qoftë edhe për Covid kjo plazmë nuk mund të vendoset me absolutizëm, por ndihmon dhe ka efekte të mira, është tregu edhe nëpër vende tjera. Dhënia e saj ndihmon mirëpo nuk është ndonjë bazë që vendosë për jetën ose vdekjen e pacientëve”, tha Ahmeti.

Shërimi me plazmën e gjakut si metodë, ai thotë se duhet të mirret pasi të kalojnë tre muaj që një i prekur është shëruar nga koronavirsui.

“Duhet kaluar tre muaj pasi një i prekur të shërohet nga Covid, pastaj t’i merret plazma”, deklaroi infektologu Ahmeti.

Ndërsa Bukurie Raca, drejtoreshë e Transfuzionit të Gjakut, tha se një mundësi e tillë është ende duke u shqyrtuar dhe se është duke u punuar shumë në këtë drejtim.

“Përdorimi i plazmës nuk ka fillu ende. Është në procedurë, nuk e di edhe sa mund të marrë kohë deri në realizim, por është duke u punu në këtë drejtim shumë. Qendra e Transfuzionit të Gjakut është i gatshëm për procedurën e grumbullimit të plazmave të gjakut, mirëpo duhet ta kemi miratimin e kësaj procedure. E deri kur të zgjidhet çështja procedurale ne nuk mundemi me fillu me grumbullu”, tha ajo për arbresh.info.

Deri në aplikimin e kësaj metode, pacientët në Kosovë vazhdojnë  të trajtohen me terapi mbështetëse sikurse që janë duke i përdorur edhe në shtetet tjera.

Në Kosovë, trajtimi për personat e infektuar me koronavirus përfshinë dhënien e vitaminave të ndryshme, trajtimi me oksigjenoterapi dhe me ilaçe antipiretike dhe analgjetike./ElonaHaxhiu/arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme