Edhe gjatë këtij viti, numri më i madh i lindjeve i nënave dibrane realizohet në Spitalin e Përgjithshëm në Strugë. Pjesa dërmuese e dibraneve vazhdojnë të përcaktohen që lindjet e tyre ti bëjnë në Strugë, kryesisht për shkak të stafit shumë profesional të këtij spitali, si dhe për shkak të problemit me kuadrin kadrovik në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Dibrës.
Disa vite me radhë, në pjesën më të madhe nënat dibrane lindin pikërisht në Spitalin e Strugës, kurse ka lindje edhe në Spitalin e Dibrës dhe Spitalet e Shkupit. Në bisedën që patëm me drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm në Strugë, Muhamed Asani, u informuam se në periudhën janar-shtator këtë vit, në këtë spital 80 nëna dibrane kanë realizuar lindjet e tyre. Sipas Asanit, nëse bëjmë krahasim me vitin e kaluar po në të njëjtën periudhë, ku janë realizuar 110 lindje nga nënat dibrane, megjithatë ka një rënie të lindjeve gjatë këtij viti. Ai shton se ulja e numrit të lindjeve ka të bëj me situatën e pandemisë që është prezent në vendin tonë qysh nga muaji mars.
Drejtori i Spitalit të Strugës shton se informatat tregojnë se pjesa më e madhe e lindjeve të grave nga Komuna Dibër dhe Qendër Zhupë vazhdojnë të jenë përsëri në Spitalin e Strugës. Asani, i cili është gjinekologu kryesor në Spital, sqaron se gratë nga Dibra dhe Zhupa në këtë spital realizojnë edhe kontrollet e rregullat të shtatzënisë, por shpeshherë në Strugë realizohen edhe intervenime të ndryshme kirurgjike. Ky gjinekolog i njohur ka marrë pjesë me aktivitetin e tij një kohë të gjatë edhe në ndihmë të kuadrit në Spitalin e Dibrës. Duke marrë parasysh se Spitali i Dibrës vazhdon të mos ketë një ekip të plot të gjinekologëve, ai paraqet përsëri mundësinë për një bashkëpunim mes dy spitaleve – atij të Strugës dhe Dibrës edhe atë jo vetëm në sferën e gjinekologjisë, por edhe reparte të tjera ku mungojnë specialistë në Dibër.
Drejtori i Spitalit të Dibrës, Baki Alili, ndërkohë deklaroi se megjithatë, numri më i madh i lindjeve bëhet në Strugë, por edhe në spitalet shtetërore dhe private në Shkup.
Udhëheqësit e institucioneve shëndetësore, por edhe ato sociale thonë se ulja e numrit të lindjeve në përgjithësi në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka të bëjë me ndërprerjen e Ligjit për kompensim për fëmijë të tretë. Për shkak të ligjit në fjalë, derisa ai ishte në fuqi – në dy komunat në fjalë pati një rritje të numrit të lindjeve. Ligji u shfuqizua dhe tani numri i lindjeve është normalisht më i ulët. Por njëkohësisht ulja e numrit të lindjeve ka të bëjë edhe me vazhdimin e proceseve të migrimit sidomos të çifteve të reja. Prandaj, sipas institucioneve, shumë çifte të reja nga Dibra dhe Zhupa i regjistrojnë fëmijët e tyre në vendet ku jetojnë dhe punojnë, jashtë Maqedonisë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...