Shkollat 9-vjeçare, si dhe gjimnazet e Tiranës janë gati të presin nxënësit në 14 shtator, pasi janë dezinfektuar dhe pajisur me mjetet e higjienës për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e zhvilluar me drejtuesit e shkollave të mesme në kryeqytet, i përgëzoi ata për punën përgatitore, që çdo shkollë të garantojë zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore.
Ai tha se tashmë lipset që kriza që kaloi vendi ynë vitin e shkuar, qoftë me tërmetet, ashtu edhe me pandeminë, të kthehet në një mundësi për të ardhmen e të rinjve.
“Lipset që secili prej jush të jetë edhe psikolog sepse kemi në dorë një gjeneratë të tërë. Ndaj, ju lus ta mbani një sy hapur për çdo rast, që të marrim vendime sipas protokollit. Ne nuk i biem pas histerisë, por si drejtues të shkollave marrim vendime sipas protokolleve. Aspak panik, vetëm kujdes. Ta menaxhojmë me sa më pak trauma këtë gjeneratë, e cila po kalon një vit e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme, duke qëndruar në shtëpi, pa u socializuar e duke luajtur me videolojëra”, u shpreh Veliaj.
Duke u ndalur në shkollat e reja që po ndërtohen në Tiranë, kryebashkiaku tha se është hapur gara për gjimnazin “Sami Frashëri”. “Sapo kemi hapur garën për ndërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”. Ju e dini, tashmë u bëmë 5 vjet bashkë, unë, përveçse jam kryetar i Bashkisë, kam edhe një funksion politik dhe prej atij funksioni marr edhe një pjesë të baltës që dihet publikisht se bëhet vetëm për politikë. Thanë: ‘te këndi i lodrave do të bëhen kulla, gradaçela’, – ja, u bë një kënd lodrash dhe pavarësisht se pamë presidentë dhe deputetë që humbën fytyrën dhe imazhin aty, kënd lodrash doli në fund. Kështu thanë edhe për Parkun Rinia, prapë prak u bë. Kështu thanë edhe për Pazarin e Ri, për Kalanë, e kështu me radhë. Kështu thonë edhe për “Sami Frashërin”, se aty do të bëjmë kulla, – Jo, aty do bëjmë “Sami Frashërin” dhe arsyeja pse kushton dy herë më shumë është sepse do të jetë dy herë më e madhe”, u shpreh Veliaj.
Ai tha se me të njëjtat ritme po punohet edhe në shkollat e reja të mesme, që po rindërtohen në Tiranë, ndërsa propozoi që të shfrytëzohen për mësim edhe mjediset e hapura, duke përmendur amfiteatrin e kryeqytetit. Kreu i Bashkisë shprehu bindjen e tij se të rinjtë janë të orientuar drejt për sa i përket perspektivës dhe të ardhmes, e cila sipas tij nuk mund të minimizohet me një birrë në Jalë apo një kafe falas.
“Kisha dje dy raste: një grup të rinjsh që më thoshte pse s’jepni birra falas, si ata në Jalë, dhe një grup tjetër që po xhironte një kamera të fshehtë në zyrën time, më thoshte pse Karta e Studentit nuk jep kafe falas. A është reduktuar ambicia e të rinjve tanë në një birrë dhe në një kafe falas? Realisht, këtu kemi mbetur si komb? Që dikush që rritet në Shqipëri thotë: kush do ma japë qyl birrën dhe kush do ma japë qyl kafen?! Ne të Tiranës jemi ndryshe. Nuk e di se nga vijnë këta fëmijë dhe nga çfarë familjesh rriten, që duan që shteti t’u sigurojë birrën dhe kafenë falas, por unë besoj se Tirana është krejt ndryshe. Është vend me ambicie. Kemi çuna dhe goca që kanë fituar olimpiada, që kanë fituar start up-e, kemi çuna dhe goca të mrekullueshëm në teknologji të informacionit. Kemi djem dhe goca të mrekullueshme nga gjimnazet tuaja që na ndihmuan kur kishim rrjetin e shpërndarjes së pakove ushqimore. Tirana ha buk veç! Ne nuk rrisim të rinj që besojnë te qyli, ne rrisim të rinj që besojnë te puna, tek merita, tek talenti, tek vullnetarizmi,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi gjithashtu që të rinjve t’u ofrohen mundësi alternative jashtëshkollore, si kurset e teknologjisë së informacionit, të cilat fillimisht do të ofrohen te stadiumi “Air Albania”, por më pas do të zhvendosen te Piramida, ku kanë nisur punimet për rikonstruksionin. Po ashtu, një tjetër apel i Veliajt ishte edhe për klasat sportive, të cilat mund të organizohen në 63 palestrat e Tiranës apo në fushat dhe terrene e jashtme sportive.
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani