AKK jep detaje lidhur me testin PCR i cili kushton 200 euro

17:10 | 10 Shtator 2020
Arbresh.info

Autoritetit Kosovar të Konkurrencës njofton se një nga angazhimet kryesore të tyre gjatë javëve të fundit ka qenë monitorimi i sjelljes së laboratorëve të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e testimeve për virusin SARS-CoV-2.

Më konkretisht, AKK ka qenë i fokusuar që të sigurohet se operatorët e këtij tregu nuk do të bien ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke bërë ndonjë marrëveshje të ndaluar, praktikë të bashkërenduara apo sjellje abuzive.

“Qëkur kemi filluar procesin e monitorimit, AKK ka kërkuar dhe grumbulluar të dhëna të detajuara nga institucionet shtetërore dhe laboratorët e licencuar, duke përfshirë çmimin e importit të materialit, çmimin e ofrimit të shërbimit dhe të dhëna të tjera. Në këtë rast, dëshirojmë të theksojmë se AKK ka gëzuar bashkëpunim të mirë me institucionet përgjegjëse si dhe laboratorët. Nga informatat që ne kemi grumbulluar, konstatojmë se aktualisht janë gjithsej 119 laboratorë të licencuar për ofrimin e testimeve serologjike si dhe tre laboratorë të licencuar për ofrimin e testeve molekulare PCR. Aktualisht dy nga laboratorët për testimet molekulare PCR janë duke operuar, kurse operatori tjetër është në përgatitje dhe brenda një kohë të shkurtër do të fillojë së ofruari këtë shërbim”, thuhet në komunikatën e AKK-së.

Sipas AKK-së kjo nënkupton që për kryerjen e të dy testeve, tashmë ekziston një treg i liberalizuar, ku qytetarët mund të zgjedhin operatorin më të përshtatshëm për ofrimin e shërbimit.  Çmimet e këtyre shërbimeve janë transparente dhe variojnë për testet serologjike nga 15 deri në 40 Euro, kurse për molekulare nga 65 Euro. Pra, Autoriteti i Konkurrencës në përcaktimin e tregut të produktit ka konstatuar se ka zëvendësueshmëri të produktit apo shërbimit. Zëvendësueshmëria e kërkesës është faktori më i drejtpërdrejt dhe efikas që kufizon sjelljen e pavarur të ndërmarrjeve në treg. Ndërmarrja nuk mund të ndikojë ndjeshëm në çmime nëse konsumatorët mund të kalojnë lehtësisht në produkte zëvendësuese.

“Po ashtu, dëshirojmë të theksojmë se AKK ka ndjekur me interes të shtuar edhe debatin e ngritur në opinion publik lidhur me çmimin prej 200 eurosh për testin PCR të ofruar nga një prej laboratorëve të licencuar. Sapo jemi njoftuar nga mediat për këtë, ne kemi kërkuar informata dhe dokumentacion shtesë nga laboratori në fjalë dhe kemi kuptuar se bëhet fjalë për testimin rapid molekular Assay Method. Kjo është formë e avancuar e testimit molekular RT-PCR, i cili jep rezultatin e njëjtë, vlerësimin e njëjtë dhe karakteristikat e njëjta me testimin molekular RT-PCR, por që e veçanta e këtij testimi është dhënia e rezultatit në afat më të shkurtër, për më pak se 2 orë”, thuhet tutje në njoftimin e AKK-së.

Gjithsesi, duhet thënë se në të njëjtin laborator, qytetarët kanë mundur të zgjedhin testin RT-PCR, i cili detekton virusin brenda një kohë më të gjatë, por që kushton 65 Euro. Në fakt, nga analizimi i të dhënave, konstatojmë se në laboratorin në fjalë 99.7 për qind e testimeve PCR janë kryer me metodën RT-PCR (që kushton 65 euro) kurse pjesa tjetër me metodën e testimit rapid molekular – Assay Method, pra vetëm 4 teste në shumë prej 200 euro apo (0.3%).

Natyrisht, AKK do të vazhdojë monitorimin e këtij tregu dhe sikurse gjatë javëve të kaluara, do të njoftojë mediat dhe opinion publik lidhur me çdo gjetje nga monitorimi i këtij tregu./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme