Implementimi i parimeve të qeverisjes korporative tek Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) kontribuon në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke rritur performancën e këtyre kompanive dhe duke u lehtësuar atyre mundësitë për qasje në kapital të jashtëm. Kjo u tha në një punëtori virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi qeverisjen korporative tek NVM-të, përkrahur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, theksoi se Oda Amerikane i kushton rëndësi qeverisjes së mirëfilltë korporative pasi që e njëjta ka ndikim pozitiv në përmirësimin e prospekteve për qasje në financa, luftimin e korrupsionit si dhe menaxhimin e ndërmarrjeve në përgjithësi. Ndërsa, Vlora Avdiu-Burani, përfaqësuese e programit të BERZH-it Këshilla për Biznese të Vogla, theksoi se ky program mbetet i hapur ndaj ofrimit të mbështetjes për NVM-të vendore lidhur me qeverisjen korporative, ndërsa u bëri thirrje atyre që t’i adresojnë sfidat të cilat ata i hasin përmes këtij programi.
Kjo punëtori u udhëhoq nga Visar Dobroshi, partner menaxhues në kompaninë Recura Financials. Dobroshi potencoi shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të bazohet qeverisja korporative, të cilat janë mbajtja e përgjegjësisë, llogaridhënia, korrektësia dhe transparenca. Ai përmendi edhe përfitimet e kompanive nga strategjia e mirë e qeverisjes korporative, e cila siguron vazhdimësinë dhe fuqizimin e mëtejmë të ndërmarrjeve, tërheqjen e investitorëve, mbajtjen e stafit si dhe rritjen e performancave. Sipas tij në mënyrë që udhëheqësit e bizneseve të sigurojnë menaxhim sa më të mirë të veprimtarive të tyre, duhet që mes tjerash të krijojnë një mjedis të mirë dhe fleksibil pune, si dhe të sigurojnë përfshirjen e stafit në përpilimin e politikave të kompanive.
Tutje, ai përmendi disa nga sfidat me të cilat përballen ndërmarrësit sot, siç janë tërheqja dhe mbajtja e stafit të duhur në kompani, dhe përshtatja ndaj ndryshimit të pritshmërive të gjeneratave të reja. Dobroshi theks të veçantë i dha edhe llojeve të ndryshme të vendimmarrjes si vegël kyçe për planifikimin e vazhdimësisë, ku veçoi vendimmarrjen e përbashkët, e cila krijon sinergji dhe kombinon talentin dhe eksperiencën e të gjithë individëve që përbëjnë kompaninë. Ai zbërtheu hapat kryesorë për diagnostifikimin e planifikimit të veprimit korporativ, derisa theksoi se kompanitë me plan të mirë të menaxhimit rezultojnë më të afta në përballimin e sfidave të ndryshme.
Përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Amerikane të cilët ishin pjesë aktive e kësaj punëtorie patën mundësi të diskutonin mbi qeverisjen korporative, si dhe të ofronin perspektivat e tyre mbi strategjitë e kompanive të cilat përfaqësojnë.
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...