Maqedonia e Veriut shënon 29 vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-Federata e Jugosllavisë me besimin se nuk do ta ndalë hapërimin drejt BE-së.
Maskat nuk mund ta prishnin atmosferën e festimeve të 29 vjetorit të pavarësisë në Shkup. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe në pritje të hapjes së kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Referendumi për pavarësi atëkohë u bojkotua nga shqiptarët në Maqedoni, të cilët kërkuan statusin e autonomisë dhe nuk ishin të kënaqur me pozicionin e arritur në kushtetutën e re. Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Plot miq dhe i hapur ndaj botës
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev tha se këtë vit vendi e feston pavarësinë si anëtar i 30-të i NATO-s dhe si shtet që do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. “Këtë vit, shteti ka më së shumti miq dhe është i hapur ndaj botës. Periudha që na pret është periudhë e evropianizimit të vendit”, deklaroi Zaev. Sipas tij lufta për drejtësi, do të jetë angazhimi kryesor i qeverisë së re.
“Vjen koha për rend, drejtësi dhe disiplinë. Qeveria e re hyn në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë tregimi më i rëndësishëm. Ligjet janë miratuar, tani është koha për zbatim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të tyre. Kush nuk dëshiron të respektojë ligjin, do të përballet me ligjin”, tha Zaevi.
Pendarovski: Sfidat kërkojnë politikanë që sjellin vendime të guximshme
Ëndrra e të gjithë brezave të mëparshëm për shtet të pavarur dhe të lirë u realizua. Rruga e cila u nis që nga viti 1991 nuk është e lehtë dhe kërkon politikanë që sjellin vendim për interes të qytetarëve, tha presidenti i vendit Stevo Pendarovski.
“Nga atëherë kemi pasur përparim dhe ulje në luftën për vlera demokratike. Rruga që nisëm nuk është e lehtë. Ajo kërkon politikanë që sjellin vendimet në interes të qytetarëve, institucione transparente, dialog të vazhdueshëm ndërmjet pushtetit dhe opozitës, sektor qytetar i cili e rishqyrton punën e secilit pushtet dhe media të lira të cilët punojnë për interesin publik” deklaroi Presidenti i Maqedoniosë së Veriut Stevo Pendarovski.
Xhaferi: Duam një Maqedoni ekonomikisht të fuqishme dhe evropiane
Kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se vetëm i bashkuar vendi mund të vazhdojë kah sfidat dhe sukseset e reja siç janë anëtarësimi i plotë në Bashkimit Evropian.
“Të bashkuar, u ballafaquam me shumë sfida dhe arritëm sukses historik, e realizuam idenë e përbërjes së parë parlamentare – anëtarësimin në NATO, kështu të bashkuar vazhdojmë kah sfidat dhe sukseset e reja – anëtarësimi i plotë në BE dhe realizimi i vizionit të të gjithë qytetarëve në shtetin tonë. Ne nuk do të ndalim hapërimin për një Maqedoni të përparuar, ekonomikisht të fuqishme, evropiane”, u shpreh kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi./DW
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...