Ambasada e Turqisë në Kosovë iu bën thirrje liderëve shtetëror që të veprojnë sipas rezolutave sa i përket Jerusalemit

14:32 | 6 Shtator 2020
A Z

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka dalë me një reagim për vendimin e Kosovës për të hapur një ambasadë në Jerusalem.

Sipas kësaj ambasade, është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsidideratë nga autoritetet e Kosovës.

“Nga postimet në mediat sociale të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministrit Hoti dhe Ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jeruzalem”.

“Turqia, një nga vendet e para që njohu Kosovën, gjithashtu ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi. Sidoqoftë, ne nuk e shohim të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim”.

Nga ambasada më tej thonë se është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një Shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

“Ne i bëjmë thirrje udhëheqjes së Kosovës që të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të përmbahet nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme