Artistët e Q’art ngjyrosin trafot e Prishtinës

16:00 | 5 Shtator 2020
Arbresh.info

Tashmë ka shtatë ditë kur ka filluar mini projekti #artn’trafo në Prishtinë.

Grafitet të cilat janë duke u bërë në trafot e kryeqytetit janë duke u punuar nga artistë të huaj dhe vendorë, të cilët kanë qenë të lirë artistikisht sa i përket temës se çka të punojnë.

E njëra ndër artistet është edhe artistja zvicerane, Made By Stern e cila ka treguar për arbresh.info se çfarë po planifikon të punojë në këtë trafo dhe se çka i pëlqen të tregoj përmes punimeve me grafit.

“Jam duke marr me një çikë që është veshur me rroba tradicionale sepse në punën time me pëlqen shumë me tregu traditën e vjetër të njerëzve me stilin e ri që është grafiti”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka treguar se me grafite merret tash e nëntë vite, ndërsa ka thënë se në Prishtinë ka artistë shumë të talentuar dhe se sipas saj ka gjëra artistike të mira jo vetëm me grafitë, por në dizajn e fotografi.

Koordinatorja, Besjana Kastrati nga Qendra për Zhvillimin e Artit – Q’art ka thënë se ky projekt është  një bashkëpunim në mes të kësaj qendre, Komunës së Prishtinës dhe KEDS-it.

“Ku në këtë rast KEDS-si ka ndihmuar edhe për nga pjesa materiale ndërsa Q’art e ka grupin e artistëve në koordinim me Komunën e Prishtinës”, ka thënë Kastrati.

Koordinatorja e Q’art ka thënë se deri me tani janë punuar trafot në lagjen Ulpiana, Kodra e Trimave, Bregu i Diellit, tek Fakulteti i Arteve, pjesa e qytetit të vjetër e të tjera.

“Ideja është me vazhdu me u punu 20 trafo. Në këtë projekt ka me pas edhe artistë lokal. Ky projekt do të shtrihet në gjitha lagjet e Prishtinës”, është shprehur koordinatorja e Q’art.

Kastrati tutje thotë se qytetarët janë duke e mirëpritë shumë, sepse siç thotë ajo kurrë më afër nuk ju ka shkuar diçka e tillë, madje ajo thotë se shumë prej tyre kanë ndihmu dhe pastruar vendin se ku do të punojë artisti./arbresh.info/R.Rexhepi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme