Presidenti Donald Trump mohoi me forcë të enjten njoftimin e një reviste sipas të cilit ai kishte folur në një mënyrë përçmuese për ushtarakët amerikane të varrosur në Evropë dhe se gjatë një udhëtimi në Francë nuk kishte pranuar të vizitonte varrezën ku ndodhen eshtrat e tyre sepse e mendonte si gjë të parëndësishme. Në një artikull të revistës “The Atlantic” thuhej se presidenti Trump, i cili kandidon për t’u rizgjedhur dhe që ka trumbetuar fort punën e bërë për të ndihmuar veteranët amerikanë të luftës, u ishte referuar marinsave të varrosur në një varrezë pranë Parisit si “humbës” dhe nuk kishte pranuar ta vizitonte varrezën në 2018-n për shkak të shqetësimit se shiu do t’i prishte flokët. Zoti Trump u tha gazetarëve të enjten se shkrimi ishte i rremë.
“Të mendosh se mund të bëja deklarata negative ndaj ushtrisë dhe heronjve tanë të rënë, kur askush nuk ka bërë atë që kam bërë unë për forcat e armatosura amerikane, është tërësisht një gënjeshtër dhe turp”, tha zoti Trump.
Presidenti tha se ai nuk shkoi në varreza për shkak të motit të keq që pengoi fluturimin me helikopter. Zgjidhja alternative, me makinë kishte qenë një udhëtim i gjatë, nëpër zona shumë të ngarkuara të Parisit gjë që siç tha Presidenti, Shërbimi Sekret e kishte kundërshtuar.
“Shërbimi Sekret më tha se: “nuk mund ta bëni”, i thashë: duhet ta bëj. dua të shkoj atje”, por ata thanë se: nuk mund ta bësh”, u shpreh zoti Trump.
“The Atlantic” nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për komente mbi artikullin, kërkesë që iu bë jashtë orarit të rregullt të punës. Kandidati demokrat për president Joe Biden, i cili sipas sondazheve udhëheq ndaj zotit Trump përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit, si përgjigje ndaj artikullit theksoi angazhimin e tij për të ndihmuar anëtarët e ushtrisë amerikane.
“Nëse ajo që shkruhet në artikullin e sotëm të revistës është e vërtetë, atëherë ato janë një tjeter tregues se sa thellësisht Presidenti Trump dhe unë nuk pajtohemi për rolin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Biden në një deklaratë të lëshuar nga zyrtarët e fushatës së tij.
“Dhe nëse do të kem nderin të shërbej si komandanti i ardhshëm i përgjithshëm, do të siguroj që heronjtë tanë amerikanë të dinë se do t’i mbështes dhe do të nderoj sakrificën e tyre gjithmonë”, shtoi ai.
Në cilësinë e kandidatit për president, zoti Trump ka bërë komente negative për senatorin tashmë të ndjerë John McCain, i cili u kap rob gjatë Luftës së Vietnamit.
“Ai ishte një hero lufte sepse u kap rob. Më pëlqejnë ata që nuk kapen”, tha zoti Trump në 2015 ndërsa kandidonte për t’u emëruar nga republikanët si kandidati i tyre zyrtar për president. Zoti Trump tha të enjten se ai nuk ishte dakord me zotin McCain, por e respektonte atë.
“Unë kurrë nuk kam qenë admirues i tij. E pranoj hapur”, tha zoti Trump. “Unë nuk pajtohesha me John McCain-in. Por e respektoja atë”, tha ai./VOA
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?