Google ADS

Challandes: Nuk jam i kënaqur me rezultatin, Rashica u zëvendësua sepse pësoi lëndim në gju

23:35 | 3 Shtator 2020
Arbresh Info

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes ka folur në konferencë për media pas ndeshjes ndaj Moldavisë.

Kosova sonte (e enjte) barazoi me Moldavinë me rezultat 1 – 1, pavarësisht që dominoi tërë ndeshjen nuk arriti të fitojë, shkruan portali arbresh.info.

Challandes pas ndeshjes tha që nuk është i kënaqur me stilin e lojës dhe rezultatin, kurse beson se goli i pranuar ndryshoi filozofinë e tërë ndeshjes.

“Nuk jam i kënaqur me rezultatin dhe mënyrën e lojës, edhe pse e kemi nisur mjaftë mirë në 15 minutat e parë, nuk arritëm të shënojmë, në fakt pësuam, pastaj gjërat ndryshuan dhe ndryshoi filozofia e lojës”.

“Në një pjesë të lojës provuam që të luajmë në mesin e fushës, pastaj ishim afër të bëjmë disa krosime, por nuk arritëm të shënojmë”.

“Për mua është pa panik, jemi në fillimin e edicionit dhe shumica e lojtarëve nuk janë në formën më të mirë”, deklaroi fillimisht ai.

Tutje i pyetur për zëvendësimin e yllit të skuadrës, Milot Rashica, Challandes konfirmoi se kosovari ka pësuar lëndim në gju.

“Ai ka pësuar lëndim, shpresoj që nuk është serioz, nuk jam doktor dhe nuk mund të flas. Ai pat lëndim dhe u detyruam ta zëvendësojmë. Ai ka lënduar gjurin dhe doktorët do e shohin tani”, vazhdoi përzgjedhësi i “Dardanëve”.

Challandes gjithashtu ka përgëzuar lojën që ka bërë Celina, i cili shkëlqeu sapo u inkuadrua në lojë.

“Nuk duhet të harroni që kemi vetëm tri zëvendësime dhe disa prej futbollistëve kanë pak përgatitje, prandaj nuk mund të ngutemi me zëvendësime, të presim të reagojnë futbollistët. Celina ishte i mirë, bëri një ndeshje të mirë”, u shpreh Challandes.

Në fund, përzgjedhësi u pyet se nëse nuk kualifikohemi, a do ta rrezikojë kjo kontratën që sapo ka nënshkruar, por ai bëri me dije që në kontratë nuk shkruhet që duhet me patjetër kualifikimi, i cili për ne është ëndërr.

“Ndeshja e sotme ishte lojë e dobët, rezultat i keq, por e kisha parashikuar në takimin me futbollistët sepse iu kam thënë që duhet të kenë kujdes dhe do vazhdojmë”

“Duhet të keni parasysh se në kontratë nuk shkruhet që ne duhet patjetër të kualifikohemi, kam kontratë me FFK-në. Duhet ta keni parasysh që edhe nëse nuk kualifikohemi do vazhdoj të jem përzgjedhës, për ne kualifikimi është ëndërr të cilën synojmë ta arrijmë”, përfundoi ai.

Në ndeshjen e radhës, Kosova përballet me Greqinë në “Fadil Vokrri”./arbresh.info.

Të ngjashme