Bërnabiq para takimit në Washington, kërkon unitet brenda Serbisë

16:44 | 3 Shtator 2020
Arditë Shkodra

Kryeministrja në largim e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se qeveria serbe mbështet presidentin, Aleksandar Vuçiq në “bisedimet shumë të vështira dhe komplekse që po bën në interesin më të mirë të qytetarëve serbë”.

Bërnabiq, përmes një deklarate, ka bërë thirrje për unitet, sepse siç ka thënë, “vetëm në atë mënyrë mund të jemi të suksesshëm në luftën për interesat tona”.

Ajo shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë përparim në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duke vlerësuar se marrëdhëniet më të mira ekonomike do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve, transmeton agjencia Tanjug.

Në Shtëpinë e Bardhë sot (e enjte) pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para takimit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se me Serbinë nuk bëhet asnjë diskutim tjetër, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Uashington, është i hapur për një bisedë konstruktive dhe se do të mbrojë “interesat serbe”.

Gjuriq, i cili është pjesë e delegacionit, u tha gazetarëve se delegacioni dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të paraqesin një agjendë të bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës.

Delegacionet nuk e kanë mohuar mundësinë që në bisedime të diskutohet edhe për çështje tjera politike.

Të ngjashme