Ekonomisti i Kembrixhit thotë se tërheqja e 10 përqindëshit nga Trusti është e rrezikshme

11:47 | 3 Shtator 2020
Arbresh.info

Profesori në Universitetin e Kembrixhit, Ha-Joon Chang në një video-konferencë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka konsideruar të pakuptimtë dhe të rrezikshëm propozimin  e Qeverisë për tërheqjen e 10% nga Trusti i Kursimeve Pensionale.

Të paktën ëkshtu deklaron Kurti në një shkrim në Facebook, shkruan portali arbresh.info.

“Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura, ka qenë në lidhje me propozimin e qeverisë për të lejuar tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti pensional i Kosovës. Sipas profesorit Chang, ky propozim është po aq i rrezikshëm sa është edhe i pakuptimtë. Sipas vlerësimit të tij, një politikë e tillë jo vetëm se do të dështojë të ndihmonte pikërisht ata qytetarë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje në këtë kohë pandemie, por edhe do t’i rrezikonte seriozisht kursimet pensionale të brezave të ardhshëm”, shkruan Kurti.

Ndër të tjera Chang ka propozuar një nismë tjetër që involvon bashkatdhetarët tanë në mërgatë.

“Në vend të këtij propozimi të cilin ai e konsideron jashtëzakonisht të papërgjegjshëm, profesori Chang ka propozuar një nismë tjetër për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës. Duke marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike dhe patriotike të mërgatës sonë, ai rekomandon që të krijohet për mërgimtarët mundësia për të investuar në të ardhmen e Kosovës përmes letrave me vlerë, përfitimi prej të cilave do të varej të paktën pjesërisht nga rritja ekonomike e vendit gjatë viteve të ardhshme. Në këtë mënyrë, Kosova do të mund t’i plotësojë nevojat e menjëhershme të qytetarëve në këtë kohë të vështirë dhe njëkohësisht t’i bëjë mërgimtarët hisedarë dhe aksionarë të vërtetë të së ardhmes së Kosovës, pa e rrezikuar fare mbijetesën e Trustit pensional apo institucioneve të tjera më jetike të Republikës sonë. Në parim, shumë më mirë e më lirë është të huazojë qeveria sesa qytetarët, sidomos në kohë krizash si kjo e tanishmja; në një vend me pak eksport e shumë import si Kosova futja e duarve në Trustin pensional vetëm sa e rrit deficitin tregtar, tha Chang”, ish kryeministri shkruan.

Ky bashkëbisedim i Kurtit me Chang duket se është bërë në kuadër të hartimit të planit dhe programit të Qeverisjes Alternative të planifikuar nga Lëvizja Vetëvendosje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme