Këshilltari i Hotit: Kërkesa për prekje të territorit thirrje për përmbysje të Kushtetutës

17:12 | 2 Shtator 2020
L G

Pavarësisht qëndrimit të qartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër prekjes së kufijve të Kosovës, kreu i Gjilanit i cili është edhe zëvendës i Isa Mustafës në parti, herë pas here ka sjellë në vëmendje idenë e tij për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Tash së fundi, Lutfi Haziri, ka përmendur edhe konkretisht një shkëmbim në të cilin do të përfshihet Lugina e Preshevës e që i bashkohet Kosovës dhe 17 fshatra bashkë me Leposaviqin që do t’i jepen Serbisë.

Një diskutim i tillë i Hazirit vjen në kohën kur Kosova ndodhet në vlugun e negociatave me Serbinë dhe e përfshirë ne dy proceset në Bruksel e Washington.

E duket se një përgjigje indirekte, Hazirit i ka ardhur nga kampi i Avdullah Hotit, i cili është edhe duke drejtuar ekipin kosovar në negociata.

Këshilltari i kryetarit të Qeverisë, Visar Berisha, ka thënë se qëndrimet të cilat prekin integritetin territorial të Kosovës janë thirrje për përmbysje të Kushtetutës.

“Qëndrimi dhe kërkesa për të prekur integritetin territorial të Kosovës është thirrje për të përmbysur Kushtetutën.

Është inzult ndaj subjektiviteti. Është goditje ndaj pozicionit dialogues te Republikës se Kosovës”, ka shkruar Berisha.

Ai ka thënë se Kosova as nuk do e as nuk mund të japë asnjë milimetër toke.

“Kosova as nuk don e as nuk mundet m’i dhanë kujt një milimetër toke te veten!”, ka përfunduar Berisha.

Hazirit indirekt për deklaratat rreth kufijve i ka reaguar edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, i cili i ka thënë Isa Mustafës se duhet të merret me Hazirin meqë “po e hapë gojën” për punën e kufijve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme