Shkruan: Veton Surroi
Nëse fiton kleronacionalizmi serb, Putini dhe Vuçiqi, çfarë do të jenë pasojat për shqiptarët dhe regjionin?
Milan Roqen, ish-ministër i Jashtëm i Malit të Zi dhe njëri prej njerëzve më të afërt me Milo Gjukanoviqin në projektin e pavarësimit të shtetit, jo rrallë i përfundonte fjalimet e veta të gjata në konferencat ku më rastisi të jem edhe unë, me ‘kurrë nuk ka pasur aq shumë fjalë nga një vend aq i vogël’. Malazezët e kanë të lindur oratorinë dhe njihen për këtë në regjion. E fjalët e Roqenit, si në fjalim, ashtu edhe në përmbyllje, e vërtetonin këtë. Tash, disa ditë pas zgjedhjeve, Mali i Zi, po jep njërin prej fjalimeve më të rëndësishme të historisë së vet, dhe ky është një fjalim dramatik që ka implikime në një hapësirë shumë më të gjerë se ky shtet. Ja nënvizimet nga ky fjalim:
1. Stabilokracitë kanë datë skadence.
Milo Gjukanoviq ka transformuar Malin e Zi, nga një shtet patericë e nacionalizmit serb në një shtet anëtar të NATO-s dhe shtet kandidat prijës për anëtarësim në BE. Ky transformim është kryer në rrethana krejtësisht të disfavorshme, përgjatë luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe një Serbie e cila ka shumë vështirësi të gjejë politikë tjetër që të mos jetë ajo serbomadhe. Përgjatë këtij transformimi, ka ekzistuar një balans mes Malit të Zi dhe shteteve atlanticiste: përderisa ka rritje stabiliteti në Mal të Zi, çështjet si korrupsioni, sundimi i ligjit dhe krimi i organizuar janë shtyrë në plan të dytë. Në këto zgjedhje, përkrahja pothuajse e vetme për partinë e Gjukanoviqit nga jashtë erdhi nga kryeministri i Shqipërisë, me efekt potencial negativ. Opozita në Mal të Zi këtë lehtësisht e interpretoi si pjesë të projektit të ‘Shqipërisë së Madhe’, një projekt joekzistues dhe i pashpjeguar nga interpretuesit e konspiracioneve, por i mjaftueshëm për mobilizim të mëtejmë nacionalist.
Gjukanoviq, duke garuar nga pozitat e avantazhit të pushtetit dhe të garantuesit të mëtejmë të stabilitetit euro-atlanticist, megjithatë nuk mori përkrahje të mjaftueshme as brenda e as jashtë vendit.
2. Zgjedhjet (nuk) ishin plebishit antidiktaturë e antikorrupsion
Deklarimet e prijësve të opozitës së deritanishme se me këto zgjedhje u rrëzua diktatura e fundit evropiane janë krejtësisht të pasakta. Pushteti i Gjukanoviqit ka gëzuar legjitimitet të gjerë demokratik; madje edhe në këto zgjedhje mund të jetë fituese po të afrohej me të Lëvizja URA e prirë nga D. Abazoviq. Po të ndodhte një zhvillim i këtillë, a do të ishte diktator, me zgjedhje të pakontestuara?
Temat e korrupsionit dhe e krimit të organizuar kanë qenë domosdoshmërisht të pranishme në fushatë zgjedhore dhe nuk do mend se është numër jo i vogël i njerëzve që shohin se si pushteti tridhjetëvjeçar i një partie i pasuron disa njerëz, të paktë të numër, e i lë jashtë këtij rrethi të mundësive një shumicë. Por, ky nuk ka qenë faktori kryesor mobilizues për koalicionin më të madh opozitar. Faktori kryesor ka qenë identitar, ai i Kishës ortodokse serbe, e cila ka mobilizuar diskursin publik e politik drejt rrënjëve ortodokse dhe serbe të pjekjes kombëtare të shumicës së popullatës në Mal të Zi. Njëri prej prijësve të opozitës deklaroi pas zgjedhjeve se Milon e mposhti Shën Vasili Ostrogut, siç quhet Manastiri më i njohur i këtij vendi.
Dhe, kur u morën vesh rezultatet, në mitingun më të madh të opozitës nuk kishte flamuj e parulla kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo diktaturës politike por kishte këngë çetnike, brohoritje për Serbi të madhe dhe flamuj korrespondues.
Pra, kështu, opozita atë natë e me ato simbole nuk festoi çlirimin e Malit të Zi prej ‘krimit’, po prej pushtetit i cili nuk përmbushte nevojat e tyre identitare për të qenë pjesë e Serbisë të madhe.
3. Agjenda qeverisëse do të jetë identitare:
Nëse formohet Qeveria e re nga opozita e tanishme me procedura normale ku mandatin për këtë e jep Presidenti Gjukanoviq, atëherë do të konfirmohet identiteti i një shteti demokratik, i cili e kalon pa traumë rotacionin zgjedhor të pushtetit.
Kjo do të konfirmonte atëbotë se konflikti në shtet nuk ishte mes forcave demokratike dhe jodemokratike. Konflikti është në fakt mes forcave politike që e ndërtuan identitetin e ri malazez – bazuar në shtetësinë parësore të shekullit XIX dhe aspiratave euroatlantike dhe forcave politike që e shohin Malin e Zi si një shtet malor serb, me traditë të gjatë në folklorin e eposit serb.
Rrjedhimisht, një Qeveri e re e përbërë nga opozita e tanishme, merr si detyrë të veten që të krijojë një identitet të ri shtetëror. Siç u paralajmërua në parimet qeverisëse të tri blloqeve politike që paralajmëruan formimin e Qeverisë së re, detyrë imediate do të jetë Ligji për besimet fetare, gjegjësisht revokimi i tij në mënyrë që Kisha ortodokse serbe të ketë rolin e prijësit shpirtëror e kombëtar në Malin e Zi, çfarë e ka në Serbi dhe Republikë Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.
4. Fituesi numër një, Kleronacionalizmi:
Forca mobilizuese e rritjes së opozitës në Mal të Zi ka qenë Kisha ortodokse serbe me në krye Mitropolitin Amfilohije. Mitropoliti ka kohë që bën pjesë në njerëzit e zëshëm e të skajshëm të Kishës dhe njihet më shumë për deklaratat që kanë të bëjnë me politikë ditore sesa me thellësinë teologjike. Mesazhi i tij ishte i qartë: u vu në mbrojtje të rolit prijës të Kishës e të identitetit serb të derivuar prej saj dhe këtë e bëri në Mal të Zi, duke e ndërlidhur fushatën politike me procesione kishtare të besimtarëve nëpër rrugë. Natën e zgjedhjeve, prijësi i opozitës, Krivokapiq, shkoi për ta takuar Mitropolitin në faltore, ia puthi dorën duke simbolizuar subordinimin e lëvizjes së tij politike kreut të Kishës.
5. Fituesi numër dy, Putini:
Vlladimir Putini, lideri i Rusisë, është fitues i këtyre zgjedhjeve në Mal të Zi. Pas përpjekjeve të dështuara të operativëve të shërbimit sekret ushtarak rus – GRU – për puç kundër Gjukanoviqit para katër vjetësh, kauza serbe dhe Kisha ortodokse serbe u treguan operatorë më efikasë për destabilizimin e një shteti të sapoanëtarësuar në NATO. Në hartën e Putinit, shtetet e ish-bllokut sovjetik si dhe pjesë të ish-Jugosllavisë janë caqe në konfrontim me konceptin e integrimit euro-atlantik. Meqë qe i pamundur pengimi i anëtarësimit në NATO, përkundër destabilizimit, Putini tash ka mundësinë e dytë të tij të preferuar, vënien e një shteti anëtar të NATO-s nën ‘mbikëqyrje miqësore’. Demokracitë joliberale – dhe e këtillë mund të jetë Mali i Zi nëse udhëhiqet nga kleronacionalizmi serb – janë tashmë një grupacion i preferuar i Putinit, si pjesë e pushtimit të ‘kalasë nga brenda’, NATOs dhe BE-së.
6. Fituesi i tretë, Serbia e Vuçiqit:
Nëse krijohet Qeveria nga opozita e deritanishme, presidenti i Serbisë do të ndihet se pozicioni i tij në regjion është forcuar. Një model i ngjashëm ideologjik do të jetë i pranishëm në tri shtete – Serbi, Mal të Zi dhe Republikë Serbe të Bosnjë e Hercegovinës. Nuk është për t’u habitur, pra, që në Mitrovicën e Veriut u kremtuan me të madhe rezultatet e opozitës së Malit të Zi, si një indikator që kokteji i këtillë politik me përzierje serbizmi, krishterizmi politik në variantin ortodoks dhe Rusinë mund të prodhojë rezultat të njëjtë për serbët e Kosovës, apo së paku për Veriun e tij. Asociacioni i Komunave Serbe, koncept i pranuar zyrtarisht nga dy kryeministra të Kosovës në negociata të Brukselit, mund të jetë beteja e radhës e këtij ‘kokteji’. Kështu, vija e fërkimit mes Rusisë dhe Perëndimit sërish simbolikisht mbetet/riaktulizohet tek ura e Mitrovicës.
7. Revolucioni i rizbuluar ‘antiburokratik’:
Kjo valë e kleronacionalizmit mund të prodhojë Qeveri, por nuk mund të prodhojë stabilitet. Përpjekja për të ndryshuar identitetin e shtetit të pavarur të Malit të Zi ka gjasa të mëdha të krijojë fërkime të mëdha. Njëra prej arsyeve për këtë është mu modeli i ardhjes së Milo Gjukanoviqit në pushtet. Edhe ai hypi në pushtet, në fund të viteve tetëdhjetë, në valën e protestave nacionaliste serbe të dirigjuar nga Milosheviqi. Asokohe u quajt ‘revolucion antiburokratik’ dhe thuhej se me këtë largoheshin pengesat e një sistemi efikas në Mal të Zi, largoheshin partizanët burokratë për t’ua lëshuar vendin reformistëve. Revolucioni ‘antiburokratik’ e nënshtroi Malin e Zi ndaj politikës së Serbisë dhe pas ca kohe e futi në luftë.
8. Vala e nacionalizmit nuk frenohet me marrëveshjen xhentëlmene:
Prijësi i koalicionit qytetar URA, Dritat Abazoviq, si partneri i tretë i koalicionit eventual qeverisës opozitar deklaroi se roli i këtij koalicioni do të jetë që në Mal të Zi të ndodhin ndryshime demokratike, në mënyrë që të ketë integrim më të shpejtë evropian. Sa kuptova, ai e sheh veten si garantues që partnerët e tjerë, të njohur për nga orientimet e tyre nacionaliste, kleronacionaliste apo proruse, të mos imponojnë agjenda që do ta rrezikonin Malin e Zi evropian.
Abazoviq beson se duke rrëzuar Gjukanoviqin, do të hapen shtigje të reja për demokraci. Por, kjo është gati e pamundur nëse hapësira publike nuk është e ndarë më në demokraci kundër autokracisë, por në çështjet identitare, për Mal të Zi të ‘sovranistëve’ dhe Mal të Zi si vazhdimësi e politikës serbomadhe.
Një individ, apo një grupacion i vogël si URA, si në këtë rast, nuk mund të imponojë diçka në hapësirën publike kur ajo është e mbushur me konfliktin identitar. As mund të pengojë që ky konflikt të shpenzohet.
9. Një shqiptar në pushtet?:
Fakti që D. Abazoviq deklarohet si shqiptar nuk do të thotë shumë. Ndonëse larg krahasimit për nga niveli intelektual dhe konteksti historik, S.Milosheviqi pasi që vendosi Gjukanoviqin në pushtet, zgjodhi Sejdo Bajramoviqin të jetë anëtar i Kryesisë së Jugosllavisë. Fakti se ai ishte i vetëdeklaruar shqiptar nuk ndryshoi gjë në shërbimin që i bënte Kryesia e Jugosllavisë politikës serbomadhe.
Çfarëdo pozicioni që mund të fitojë Abazoviqi, do të jetë për meritën e tij personale dhe të koalicionit që ai drejton, jo domosdoshmërisht për shqiptarët.
Shqiptarët duhet të jenë bukur të brengosur me këto zhvillime. Në zgjedhje, shqiptarët e Malit të Zi nuk kishin një zë unik. Nga Shqipëria e Kosova dolën zëra që kërkonin që të votohet për Milon, për këtë apo atë koalicion shqiptarësh.
Tash shqiptarët dhe i tërë regjioni janë në situatë ku një pjesë e Ballkanit Perëndimor ka gjasa të mos jetë më si ishte. E çfarë do të jetë, nuk dihet ende.
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...